Pas disa ditë negociata, PD dhe PS arrijnë të dakortësohen për ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor për votën e diasporës.
Detajet i ka dhënë Danian Gjiknuri në një intervistë ekskluzive pak momente më parë për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu.
Veliu: Si kanë shkuar bisedimet me opozitën për të realizuar votën e diasporës, për të bërë ato ndryshime në afate të vilat i kërkon KQZ.
Gjiknuri: KQZ ka luajtur një rol shumë aktiv ditët e fundit, duke dhënë asistencën e nevojshme për realizuar negociatat, gjithçka që kemi biseduar me palën tjetër ka qenë në harmoni me ato mundësi që ka KQZ për t’i zbatuar këto afate, përgjithësisht është rënë dakord, besoj sot të vijë dhe propozimi nga KQZ për formimet përkatëse pastaj do të mbështeten nga partitë kryesore, për tre elementë që kanë qenë thelbësore për këtë negociatë. E para ka të bëjë me afatet e votës së diasporës, do të thotë që nga 45 ditëshi që është parashikuar nga Kodi Zgjedhor mund të shkojë në 60 ditë afati për regjistrimin e kandidatëve, gjë që i jep mundësi KQZ që të përgatisë më shpejt fletët e votimit dhe të ketë më shumë kohë për dërgimin dhe marrjen zarfeve nga diaspora.
E dyta është ndryshimi i nenit që ka të bëjë me shpenzimet e votës, që gjithçka do ta mbulojë buxheti i shtetit nëpërmjet KQZ, edhe ky propozim është dakordësuar.
Si dhe një shqetësim që e kishin ngritur demokratët që ka të bëjë me përbërjen e grupeve të numërimit dhe komisionit të numërimit të votave të diasporës. Kemi rënë dakord në ato parime që ekzistojnë në kodin zgjedhor, të jetë një përfaqësim partiak, me barazi palësh në përfaqësim. Kemi shprehur edhe gatishmërinë dhe besoj se qeveria do ta realizojë pas kërkesës zyrtare të KQZ-së, personave që iu kanë skaduar mjetet e identifikimi do të kenë mundësi të regjistrohen në këto zgjedhje./TOP CHANNEL