Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht drejtues politik i PS për Diasporën, Taulant Balla u takua me bashkatdhetarë në Toronto, Kanada, me të cilët foli mbi të drejtën e votës së çdo shqiptari jashtë Shqipërisë për të zgjedhur drejtimin dhe udhëheqjen e vendit, duke votuar nga aty ku banojnë.
“Largimi juaj ka lënë boshllëk në Shqipëri, pasi në Kanada kanë ardhur profesionistë të fushave të ndryshme”, tha Balla.
Sipas tij, diaspora vazhdon të mbetet një prej kontributorëve kryesorë në vend.
“Plot 1 miliard euro ishin dërgesat e parave të shqiptarëve që jetojnë në diasporë në 2024-ën, një rritje me 10%, krahasuar me 2023-shin”, vuri në dukej Balla.
Balla tha se vota e shqiptarëve që jetojnë në diasporë ishte e domosdoshme në kushtet kur më shumë se gjysma e shqiptarëve jetojnë jashtë.
“Jemi në një moment të ri të rregullimit të një defekti të demokracisë 34-vjeçare shqiptare, që nga zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991”, tha ai.
Ai theksoi se nga censi i fundit në Shqipëri rezultoi se jetojnë 2,4 milionë banorë në vend, ndërkohë që në të gjithë librat e regjistrave të gjendjes civile, Shqipëria rezulton të ketë 4,67 milionë banorë.