Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka folur në një intervistë për “NOW me Erla Mëhillin”, duke komentuar garën për zgjedhjet e 11 majit 2025.

Ai theksoi se Dibra do të jetë një fushë beteje e rëndësishme për Partinë Socialiste, ndërsa Tirana do të jetë një qendër e fortë konkurrence, ku PS do të garojë me peshat më të rënda politike.

Klosi deklaroi se Dibra, një nga qarqet ku PS ka pasur vështirësi në kalimin e kufijve pozitiv, pritet të japë një rezultat të fortë dhe të favorizuar për këtë parti në zgjedhjet e ardhshme.

“Do të thoja që për mua kali i betejës kësaj radhe do të jetë Dibra ku do të ketë një përmbysje të fortë të rezultatit, që pritet të jetë pozitiv për PS-në,” tha ai.

Sa i përket Tiranës, Klosi nënvizoi se kjo është një garë e madhe, ku do të përballen një numër i konsiderueshëm forcash politike, duke përfshirë jo vetëm partitë e mëdha, por edhe shumë të tjera që do të synojnë fitimin e këtij qyteti.

“Në Tiranë do garojnë jo vetëm forcat e mëdha por të gjitha partitë do të tentojnë Tiranën prandaj është Tirana nuk do të ketë vetëm një drejtues apo tre siç kemi thënë në fillim që janë Ogerta Manastirliu, Erion Veliaj, Elisa Spiropali por do të kemi edhe deputet të tjerë të fortë që e kam thenë në këtë studio, që prisni se Tirana do të ketë pesha të rënda nga PS qoftë ministra qoftë deputetë me peshë pasi të mbulosh bie fjala Njësinë Nr. 5 që do ta mbulojë Erion Veliaj apo dhe kolegë të tjerë është si një qark më vete.

Blendi Klosi përmendi gjithashtu se Tirana do të ketë deputetë dhe ministra me peshë, që do të përfaqësojnë në mënyrë të fortë PS-në.

“Tirana ka 37 mandate dhe një shtrirje të gjerë, me një numër të madh votuesish. Është një betejë shumë palëshe, dhe natyrisht, do të ketë peshat e rënda të PS-së që do të garojnë. Në listën e Tiranës do të jenë 49 emra të spikatur, duke përfshirë 37 të hapur dhe 12 të mbyllur,” tha Klosi, duke shtuar se ky është një grup që do të përbëjë më shumë se ¼ e grupit të deputetëve të PS-së.