Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka inspektuar pasditen e sotme punimet në autostradën Tiranë Durrës, ku deri më tani janë kryer 25% e volumit të punës. Ministrja theksoi se kjo autostradë do të kthehet në autostradë të tipit A dhe synimi është që Tirana dhe Durrësi të bashkohen si qytete për shkak të zonës ekonomike.

“Kjo autostradë do kthehet në autostradë të tipit A. Do të shtohet nga një korsi 3.75 m në secilin karrexhatë dhe 3 metër korsia e emergjencës, Tirana dhe Durrësi kanë synimin të bashkohen si qytete në të ardhmen për shkak të zonës ekonomike. Ka ecuri, ju uroj punë të mbarë dhe do shihemi për të parë progresin në muajt e ardhshëm”.
Inxhinierët kanë informuar ministren mbi ecurinë e deritanishme, ku janë zhvendosur pemët, janë hequr linjat e transmetimit dhe një ujësjellës. Sipas tyre synimi është që kjo zgjerimi i kësaj autostrade të mbyllet para afatit.

“Puna po ecën më mirë se parashikohej. Aksi Tiranë-Durrës ka trafik të rënduar. Kemi arritur në volumet e 25%. Kemi hequr pemët dhe linjat e transmetimit dhe një ujësjellës është spostuar. Projekti parashikon shtimin e një korsie në secilën anë dhe një korsi emergjence. Me mbarimin e Thumanë-Kashar mbi 25 mijë mjete adresohen në këtë segment rrugor dhe me ndërtimin e rrugës Kashar-Lekaj pritet të shpërndahet trafiku. Ky zgjerim që po bëjmë do të duhet në të ardhmen. Duam ta mbyllim para afatit, në fund të 2025”, thanë inxhinierët.