Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi iu përgjigj kërkesës së Partisë Demokratike për të lejuar të votojnë edhe emigrantët shqiptarë pa dokumente identifikimi. Kryekomisioneri tha se kjo nuk është e mundur për shkak se platforma për regjistrimin e emigrantëve nuk i ka kapacitetet për të realizuar këtë. Sipas tij, duhet të krijohet një sistem i ri, ose të zhvillohet ky që KQZ ka vendosur në dispozicion.

“PER është ndërtuar për të identifikuar dokumentet e identifikimit të lëshuara nga Republika e Shqipërisë. Nëse palët bien dakord që identifikimi mund të bëhet edhe përmes dokumenteve të tjera, do të duhet të bëhet një sistem tjetër ose të zhvillohet ky sistem. Nuk do më takon të komentoj propozimet që partitë kanë në lidhje me ndryshime të mundshme të kodit. Nëse bien dakord ato, ne kemi detyrimin për t’i zbatuar”, tha Celibashi.

Ndërsa, në lidhje me procesin e votimit në vendin tonë, kreu i KQZ bëri të ditur se në një qark të vetëm nuk do të ketë votim elektronik, por ende nuk e përcaktoi se në cilin. Më tej, ai i bëri thirrje Kuvendit që të miratojë buxhetin e partive politike për fushatën zgjedhore. Celibashi kërkoi që buxheti të miratohet më para, pasi në zgjedhjet e mëparshme kjo ka ndodhur disa ditë para nisjes, ose edhe kur fushata zgjedhore ka filluar.

“I kemi kërkuar Kuvendit që sa më parë të martojë buxhetin për partitë politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhje. Me siguri ky buxhet do tu vihet në dispozicion subjekteve zgjedhore më para fushatës, pasi ky buxhet u është vënë në dispozicion në zgjedhjet e mëparshme shumë pak ditë para nisjes së fushatës ose në ndonjë rast edhe kur fushata kishte filluar”, shtoi kryekomisioneri.

Po ashtu, Celibashi nënvizoi ndryshimet e Kodit Zgjedhor, duke u shprehur se është vendosur në interest ë partive politike. Kryekomisioneri shtoi se konstituimi i Komisioneve Zonalde të Administratës Zgjedhore do të fillojë më 11 shkurt. Ndër të tjera, ai bëri edhe ndarjen e KZAZ, ku tha se anëtarët do të ndahen në mënyrë të babartë.

“Dy anëtarë nga Partia Socialiste (PS), dy anëtarë nga Partia Demokratike (PD), një anëtar nga Partia Social Demokrate (PSD), dhe një anëtar nga Partia e Lirisë (PL). Ndërkohë, anëtari i shtatë i çdo KZAZ, do të ndahet në mënyrë të barabartë, gjysma do t’i takojë PD-së dhe gjysma PS-së”, nënvizoi ai.

Sakaq, Celibashi bëri të ditur se partitë politike nuk kanë dërguar ende listën e anëtarëve të zgjedhur.