Themelues i “Djathtas 1912”, Enkelejd Alibeaj, është shprehur se nuk beson te oferta politike e Sali Berishës për zgjedhjet e 11 majit, duke thënë se “një opozitë të jetë superiore ndaj pushtetit, duhet të jetë moralisht superiore.”
“Një opozitë të jetë superiore ndaj pushtetit, duhet të jetë moralisht superiore, duhet të jetë ofertë politike dhe unë nuk besoj te oferta e Sali Berishës”, tha Alibeaj.
Sipas tij, Berisha e ka shndërruar PD-në në mburojë të halleve personale.
“Nuk e kam problemin me njeriun, Sali Berishën, por me sjelljen. S’mund të shndërrohet një parti në mburojë të halleve personale. Njeriu politik hallin e vetë e lë mënjanë dhe i lë njerëzit jo mish për top në gostinë e Edi Ramës”, tha ai në një emisionin televiziv.
Ndër të tjera, deputeti u shpreh se opozita duhet të bashkohet rreth vlerave.
“Opozita sipas meje mund të bashkohet rreth vlerave. Ne jemi rreth vlerave për mbështetje pa kushte ndaj drejtësisë. Raportet duhet t’i mbajmë me institucionet e SHBA”, tha ai.
Sa u takon marrëdhënieve me SHBA pas fitores së Trump, Alibeaj tha se do të donte nga administrata e re më shumë mbështetje për drejtësinë dhe sistemin e zgjedhjeve.
“Do të doja, mbështetje edhe më të fortë për drejtësinë nga SHBA dhe e dyta, mbështetje akoma më të fortë për sistemin e zgjedhjeve. Besoj do të ndodhë. Pastaj çështjen se kush do ta drejtojë këtë vend do ta vendosin shqiptarët. Për një opozitë, flas për veten tani, do të isha i kënaqur, që shqiptarët të kishin mundësi për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të kufizohej etja e pamasë e Edi Ramës për të vjedhur zgjedhje. Dhe drejtësia të veprojë pa selektivitet politik siç më rezulton mua deri tani”, tha Alibeaj.