Kryeministrja italiane Giorgia Meloni është më e zemëruar se kurrë dhe nuk do t’i japë opozitës kënaqësinë e mbylljes së qendrave në Shëngjin dhe Gjadër, raportojnë mediat italiane. Sipas këtyre të fundit, pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Apelit të Romës, Meloni tashmë ka vendosur strategjinë: ankimim në Kasacion. Kjo, pasi në Palazzo Chigi dhe Ministrinë e Brendshme, vendimi për të pezulluar gjykimin në pritje të verdiktit të Gjykatës së Drejtësisë të BE-së është interpretuar si një shenjë dobësie nga ana e gjyqtarëve.
Në Palazzo Chigi druheshin një tjetër goditje ligjore, gjë që në një farë mënyre shpjegon tonet e ashpra të Melonit kundër një prej shtyllave të arkitekturës kushtetuese. Sipas mediave italiane, Meloni u shprehu burimeve qeveritare “habinë e madhe dhe të thellë” për vendimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, të cilëve qeveria u kishte deleguar përmes një dekreti detyrën për të vendosur mbi fatin e emigrantëve, pas vendimeve gjyqësore që nuk ishin në favor të saj.
“Sipas nesh, nuk ka nevojë të pritet vendimi i drejtësisë evropiane”, është reagimi jozyrtar i qeverisë italiane, raportojnë mediat.
Sipas tyre, sekretari i Shtetit, Giovanbattista Fazzolari, ka ngarkuar partinë me detyrën për të sulmuar Gjykatën e Apelit për “mosrespektimin e vendimit të Kasacionit”, sipas të cilit i takon qeverisë të përcaktojë vendet e sigurta.