Grupi Parlamentar i PS është mbledhur këtë të mërkurë në seancë dëgjimore me rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku në lidhje me operacionin e SPAK, ku u lëshuan 24 masa sigurie.

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij, sqaroi se rektori nuk është në hetim dhe se sipas tij, kur ka kandiduar në këtë post, i është drejtuar SPAK. Kreu i qeverisë u shpreh se abuzuesit do të përgjigjen për shkeljet para drejtësisë, por shtoi se kjo e fundit nuk ka arsye për të bllokuar punën në universitet.

“Kur kemi folur unë jam siguruar që së pari, ju nuk jeni një person në hetim. Ne nuk mund të japim hapësirë dhe bëjmë dëgjesa me persona në hetim. Së dyti, është mirë ta dinë të gjithë se para se të kandidonit për rektor i keni drejtuar një letër SPAK ku keni kërkuar të sqarohej për ju nëse ky kandidim do të kishte ndonjë pengesë për shkak të statusit dhe përgjigja ka qenë për ju që mund të vazhdoni të kandidoni. Së treti, të gjithë duhet ta kuptojnë që shqetësimi shumë i madh në këtë rast nuk lidhet fare me faktet apo me fajësinë apo pafajësinë e personave por lidhet me nxitimin për të deklaruar 24 persona në masë sigurie për një universitet që është në një kthesë historike dhe që e ka të ardhmen e vet të varur na një partneritet strategjik me një ndër universitetet më të vjetra të botës.

Padyshim që gjëja e parë që mua më ka shkuar në mend kur kam marrë këtë lajm është se çfarë do të mendojnë partnerët austriakë kur ta dëgjojnë. 24 veta masë sigurie, një numër marramendës për një çështje që ka dy apo tre vjet, dhe që s’ka asnjë lloj flagrance apo arsye për të krijuar këtë goditje për një institucion të arsimit të lartë, aq më tepër që bëhet fjalë për fonde të kërkimit shkencor, ku nëse ka pasur abuzime, abuzuesit nuk diskutohet se do të përgjigjen deri në fund por 24 veta në masë sigurie. Kjo besoj është e mjaftueshme sa i përket konkretisht çfarë tha rektori dhe gjithë shqetësimi është për të dhënë mesazh për prindërit, studentët dhe partnerët, që ndërkohë që drejtësia do të bëjë punën e vet, nuk ka arsye për të bllokuar punën.”, tha Rama.