Ish-deputetja dhe figura e njohur e Partisë Socialiste, Arta Dade, mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Tiranës me rastin e 105-vjetorit të shpalljes së kryeqytetit shqiptar.

Në fjalën e saj, Dade vlerësoi punën e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili mungoi në event për shkak të arrestimit të tij dje.

Sot na mungon kryetari i bashkisë dhe gjej rastin për ta lavdëruar për punën e shkëlqyer që ka bërë në 10 vite në krye të Bashkisë. Erioni përfaqëson brezin e ri të politikës dhe nuk ka lidhje me politikën shpesh të mbrapshtë të 35 viteve,” tha Dade, mes duartrokitjeve në sallë, ku ndodhej edhe kryeministri Edi Rama.

Ajo shprehu mbështetjen për Veliajn në betejën e tij ligjore, duke theksuar se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe të respektojë standardet europiane. “Erion Veliaj shumë mirë mund të ishte kryetar i Bashkisë së Romës apo i çdo kryeqyteti tjetër, sepse me vizionin, përkushtimin dhe përgatitjen e tij është një kryebashkiak europian,” u shpreh Dade.