Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla përmbylli turneun e tij në veri të Italisë me një takim me bashkatdhetarë në Udine, të cilëve tregoi se sa shumë ka ndryshuar Shqipëria, zhvillimi i vrullshëm i së cilës gjatë qeverisjes socialiste e ka kthyer vendin në një destinacion turistik mjaft tërheqës, kjo edhe falë përmirësimit të imazhit të keq që kemi pasur 12 vjet më parë.

“Shqipëria nuk është më sot “delja e zezë” e Europës. Shqipëria sot ka një reputacion ndërkombëtar, Shqipëria sot nuk është një vend ku nuk na shkelte asnjeri, nuk na ftonte askush. Dhe kur na ftonin në tryeza ndërkombëtare që na takonin, kryeministri i asaj kohe thjesht mund të krijonte të qeshura në sallë për shkak se ngjante Boratin edhe pse tani i themi bufi i kënetës. Të qeshurat kryesisht vinin dhe nga anglishtja e çalë.
Por sot Shqipëria mirëpret kryetarë shtetesh. Mirëpresim direkt pas zgjedhjeve të 11 majit javën pasardhëse komunitetin politik evropian i cili do të sjellë në Shqipëri të gjithë udhëheqësit e Europës, nga kryeministri i Britanisë së Madhe apo mikja jonë kryeministrja Meloni te presidenti turk, kryeministri grek, presidenti francez apo kancelari gjerman i ri që del nga zgjedhjet e kësaj fundjave.”

Për bashkatdhetarët është ideuar Paketa e Maleve, që mundëson shmangien e burokracive të dokumentacionit.

“Secili prej jush ka një shtëpi pa asnjë letër, që e keni ndërtuar me paratë e kurbetit. Tanimë përmes kësaj pakete do ja ngarkojmë bashkisë t’jua bëjë letrat gati dhe t’ju nxjerrë edhe leje po të doni që atë tokë ta vini në përdorim.

Synimi ynë është që Shqipëria mos jetë destinacion turistik vetëm për muajt e verës.

Se kur kryeministri Rama thoshte se Shqipëria do kthehet në një destinacion turistik të Ballkanit pak kush e besonte.”

Balla njoftoi se javën e parë të marsit votohet edhe marrëveshja e pensioneve me Italinë.

“Ne punimet e Dhomës së Deputetëve të javës së parë të marsit është planifikuar dhe diskutimi e votimi i marrëveshjes për njohjen dyfishtë të pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë.

Më tej Balla i informoi bashkatdhetarët në Udine për një program tjetër historik të qeverisë, Mësues për Diasporën që do të nisë edhe për Italinë.

“Mësues për diasporën, e nisëm me Greqinë se atje ka qenë pak më e vështirë të ngrinin flamurin kuqezi dhe të mësojnë gjuhën shqipe.

Madje zhvillua një takim në Greqi nga një “i skaduar” dhe i vinte turp të ngrinte flamurin kuqezi.Se kishte njërin në krah që e dini, mbante kokën ulur ai.

Përtej kësaj, pra ne shumë shpejt do fillojmë përzgjedhjen e mësuesve të parë edhe këtu në Itali. Mësuesit paguhen nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë, ndërsa kemi bërë dhe diçka tjetër të mirë, kemi unifikuar abetaret bashkë me qeverinë e Kosovës.”

Drejtuesi Politik për Diasporën i maxhorancës kërkoi votën e bashkatdhetarëve për Partinë Socialiste si e vetmja ofertë serioze sot në spektrin politik.

“Saliun e njohim se është “i skaduar” nuk bën. Po këto partitë e reja? Besomëni janë më të skaduar se vetë Saliu. Ose kanë dalë nga barku i Saliut ose janë shembull i keq i atyre që premtojnë dhe nuk bëjnë dot.”

Sipas Ballës, diaspora vendos më 11 maj, për të vazhduar Shqipëria këtë progres që ka arritur deri tani ose për ta ndërprerë, por ai u shpreh i sigurt se vota e diasporës jo vetëm do t’ia japë fitoren Partisë Socialiste, por do t’i japë mundësinë që në kuvendin e ardhshëm të kenë 84 mandate për të realizuar reformat pa asnjë pengesë.