Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla priti delegacionin e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë të kryesuar nga Michael Reiffenstuel, me të cilët diskutoi mbi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona, procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe progresin e reformave të ndërmarra.

Në takim u riafirmua angazhimi për të forcuar partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Ministri Balla vlerësoi angazhimin e Gjermanisë, duke përmendur rolin kyç të saj si një ndër mbështetësit më të fuqishëm të zgjerimit të BE-së. Ai gjithashtu theksoi mirënjohjen për Bundestagun dhe qeverinë gjermane për përkrahjen e fortë ndaj reformës në drejtësi dhe procesit të integrimit.

“Një tjetër dimension i rëndësishëm i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë është bashkëpunimi i frytshëm mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Bundestagut Gjerman. Në vitet e fundit, ka pasur një shkëmbim intensiv vizitash dhe përvojash.

Bashkëpunimi i ngushtë mes dy parlamenteve ka ndihmuar gjithashtu në forcimin e demokracisë parlamentare në Shqipëri dhe në ndarjen e praktikave më të mira për legjislacionin dhe mbikëqyrjen parlamentare,” tha Balla.

Duke u ndalur në çështjet rajonale, delegacioni gjerman rikonfirmoi mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe dialogun Kosovë-Serbi.