Balla: Edi Rama ka bërë që shqiptarët të mos ndjehen më inferiorë por si të barabartë mes të barabartëve.
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla ndaloi në Bergamo për t’u kërkuar votën bashkatdhetarëve tanë në Itali, ndërsa kanë mbetur dhe dy javë deri në përfundimin e procesit të regjistrimit të diasporës.
Ai e cilësoi një moment historik që më në fund u realizua kjo votë.
“Më në fund të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë kanë mundësinë që të thonë fjalën e tyre, të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe natyrshëm përmes përfaqësuesve të tyre të zgjedhin qeverinë e katër viteve të ardhshme.”
Balla foli për ndryshimin e kodit zgjedhor. “Në seancën e Kuvendit të Shqipërisë do të duhet të votojmë edhe disa ndryshime të vogla por që janë tepër të rëndësishme. I pari ka të bëjë me pagesën e shpenzimeve të postës edhe në kthim. Tjetra ka të bëjë me zgjerimin e afatit të regjistrimit të kandidatëve, në mënyrë që të lëmë pak më shumë kohë në dispozicion të bashkatdhetarëve sa i përket mbërritjes dhe kthimit të zarfit brenda të cilit është zëri juaj, vota juaj.”
Balla u bëri thirrje edhe atyre shqiptarëve që ende nuk janë regjistruar ta kryejnë sa më parë këtë detyrim ndaj atdheut, edhe me një dokument identifikimi të skaduar shqiptar por edhe me një dokument në vendin ku janë rezident për të vërtetuar adresën. Diku nga fillimi i prillit do të niset zarfi, nga një për çdo anëtar të familjes. Zarfi kthehet pa emër.
“Çdo qytetar shqiptar që mbush 18 vjeç deri më 11 maj ka të drejtën që në KQZ.GOV.AL, në platformën elektronike të regjistrimit si votues nga jashtë, të regjistrohet si i tillë. Duhen 3-4 minuta gjithsej nga koha jote, maksimumi 5.”
Balla kishte disa sugjerime dhe kërkesa për bashkatdhetarët përse ata duhet të votojnë Partinë Socialiste. E para është rruga e Shqipërisë drejt BE.
“Dhe një gjë po ju them sot dhe jam shumë krenar ta them në Bergamo, që Shqipëria do të jetë vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që do të hyjë në BE. Kjo falë Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Përse e bën vetëm Edi Rama dhe PS këtë? Përse nuk e bëjnë të tjerët? Pyetja që kam për ju: kush janë të tjerët? Kush është tjetri?”
Një udhëheqës, një ekip dhe një program duhen sipas Ballës për të qenë fitues.
“Ka ndonjë njeri në këtë sallë apo ka ndonjë njeri në Shqipëri që mendon se një person i shpallur non grata për korrupsion të nivelit të lartë, për sabotim të demokracisë, mund të drejtojë Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE. Një person i cili ende ka hesape të hapura me popullin dhe me drejtësinë në Shqipëri, kurrsesi nuk mund të jetë ofertë politike për t’i besuar edhe një herë pasi ia ke besuar edhe herë të tjera të drejtojë Shqipërinë. Ju e shihni që unë nuk ia përmend emrin sepse më mirë t’i themi “buf kënete” se sa t’i themi emrin.”
Në lidhje me ekipin e kundërshtarëve, Balla tha se ata rrihen, zihen dhe pajtohen dhe para tre vjetësh hynë me bishta lopate njëri-tjetrin kush do merrte godinën dhe se ata parlamentin e shohin vetëm si vend pune.
“Thoshin: po më patë mua me Saliun unë do ta lë politikën. Aty i ke si pulat, njëri pas tjetrit. Kanë hallin a do zgjidhen prapë deputetë se këta e konsiderojnë punën e deputetit si vend pune. Unë nuk e kam parë kurrë të qënurit deputet si vend pune, por si një nder i madh për të patur salla si këto dhe për të komunikuar me popullin e mbi të gjitha për t’i shërbyer njerëzve. Ky është dallim i madh.”
Balla foli për turizmin dhe italianët që vijnë në Shqipëri për turizëm estetik, diçka e paimagjinueshme 10 vjet më parë dhe që sot e konsiderojnë vendin tonë një destinacion të sigurt.
“Nuk po them që ne jemi më të mirë se Italia, se ishte ky bufi i pulave ose i kënetës që thoshte: jemi të dytët pas Gjermanisë. E mbani mend. Ne nuk kemi qenë ndonjëherë të dytët pas Gjermanisë, por sa i përket kësaj pjese jemi ndër më të sigurtët në Europë.”
Ne i jemi shumë mirënjohës Italisë, iu drejtua Balla emigrantëve në fund të takimit, por dhe Italia duhet ta kuptojë se pa ju nuk do të kishte qenë kjo ekonomi.
“Sepse 800 mijë shqiptarë që jetojnë sot në Itali janë njerëz që kanë një kontribut të madh për ekonominë e vendit, paguajnë taksat, punojnë në mënyrë të ndershme dhe ndaj tha ai kemi mbyllur me Italinë marrëveshjen e njohjes së dyfishtë të pensioneve, ku 500 mijë shqiptarë që jetojnë, punojnë ose kanë jetuar, punuar apo jetojnë, punojnë akoma këtu në Itali t’u njihet çdo ditë kontributi për efekt pensioni dhe t’u bashkohet kontributi që keni dhënë në Shqipëri me kontributin këtu dhe ti merr pensionin ku të duash, Itali, Shqipëri, Gjermani, SHBA, kudo që të jesh.”
Balla tha se Edi Rama ka bërë që shqiptarët të mos ndjehen më inferiorë por si të barabartë mes të barabartëve.