Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, takoi deputetë të Forumit Parlamentar Për Evropën Lindore dhe Qendrore të Landit gjerman të Saksonisë.

Gjatë takimit u diskutua bashkëpunimi i shkëlqyer dypalësh politik, rritja e tij edhe në nivel të landeve, procesi i Berlinit dhe integrimi europian, zhvillimi i turizmit dhe ftesa për bizneset gjermane për të investuar.

Ministri Balla vlerësoi faktin se Gjermania ka qenë një nga partnerët më të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në BE për të gjithë rajonin dhe ka iniciuar Procesin e Berlinit, ndërsa është e përfshirë aktivisht në bashkëpunimin për zhvillim përmes GIZ-it në të gjitha vendet e rajonit.

“Shprehim mirënjohjen më të madhe ndaj Gjermanisë dhe, në veçanti, të gjithë spektrit politik në Bundestag, për mbështetjen për hapjen e negociatave të anëtarësimit, veçanërisht për rolin proaktiv në mbrojtjen dhe mbështetjen e perspektivës evropiane të Shqipërisë,” deklaroi ministri Balla në takimin me deputetët nga landi i Saksonisë.

Balla vlerësoi rolin e Përfaqësuesit të Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, si një shenjë e vëmendjes së veçantë të Gjermanisë për rajonin.