Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, u takua në Frankfurt me sipërmarrësin shqiptar Fatmir Dulaj, i cili prej 34 vitesh jeton në Gjermani dhe sot është pronar i birrarisë më të vjetër në qytet, “12 Apostuj”.

Gjatë bashkëbisedimit me Ballën sipërmarrësi nga Malësia e Madhe deklaroi se ka emigruar në Frankfurt para 32 vitesh dhe punën e parë e ka nisur në kuzhinë.

Falë punës së tij të palodhur Dulaj prej 13 vitesh drejton një nga restorantet më të vjetra të Frankfurtit, i cili është i vetmi restorant që prodhon birrën brenda ambjenteve të restorantit.

Një lajm i rëndësishëm për Shqipërinë është se birra e prodhuar në këtë birrari së shpejti do të vijë në Shkodër dhe Velipojë. “Po, po, fabrika gati është. Do hapet edhe pak,” – tha Dulaj, duke konfirmuar investimin e tij të ardhshëm në Velipojë, që do të jetë një birrari edhe më e madhe dhe më moderne.

Në lokalin e tij në Frankfurt punojnë 20 persona, nga të cilët 9 janë shqiptarë. Balla vuri në dukje një detaj të veçantë: “Dy djemtë e tu, djemtë e një bosi, mësojnë punën.”

Në fund të bisedës, një punonjëse shqiptare e birrarisë, Esmeralda, tha se ka dy vite në Gjermani, por me dëshirë do të punonte në restorantin e ri që Dulaj do të hapë në Velipojë. “Lërja përsipër ta menaxhojë Esmeralda restorantin që do hapësh në Velipojë, ke për të pasur sukses 100%,” – sugjeroi Balla me humor.

Ky takim në Frankfurt dëshmon edhe njëherë suksesin e shqiptarëve në diasporë dhe përpjekjet e tyre për të sjellë përvojën e fituar jashtë në vendlindje.