Punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri në zonën e Mamurrasit kanë arritur në 45% të volumit të tyre. Investimi që po realizohet përfshin hapjen e pus shpimeve të reja, ndërtimin e depos dhe rrjetin e transmetimit dhe atë të shpërndarjes, si dhe vendosjen e matësave për të gjithë abonentët.

Në fazën e parë projekti do të ketë një impakt për afro 10 mijë banorë, ndërsa me përfundimin e plotë të tij kjo shifër arrin në 15 mijë, duke mbuluar kështu të gjithë zonën. Rrjeti aktual i ujësjellësit daton në vitin 1972 dhe për shkak të amortizimit të lartë, nuk arrijë që të ofrojë shërbimin e kërkuar.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe kreu i AKUK, Klevis Jahaj ndoqën nga afër punimet për ndërtimin e depos së ujësjellësit, e cila do të ketë një kapacitet prej 4000 m3.

“Është një investim me parametra bashkëkohore. Parashikon tre stacione të reja të pompimit dhe ndërtimin e një stacioni pompimi i cili do të bëjë furnizimin e depos kryesore prej 4 mijë metër kub. Janë tre puse të cilët do të kenë edhe një depo grumbulluese prej 80 metër kub dhe një stacion të ri i cili do të bëjë edhe monitorimin me SCADA në të gjithë sistemin e shpërndarjes. Gjithashtu dhe pjesa automatike e disinfektimit dhe ruajtjes së cilësisë së ujit”, sqaroi Jahaj, referuar projektit që po zbatohet.

Zëvendëskryeministrja Balluku tha se investimet në ujësjellës, në të gjithë vendin, parashikojnë projekte të plota duke nisur nga depot dhe deri tek vendosja e matësave, përmes të cilëve sigurohet jo vetëm një furnizim i pandërprerë me ujë të pijshëm, por edhe siguri.

“Bashkë me të gjithë investimin që ne bëjmë përsa i përket puseve të reja apo burimeve të reja, veprat marrëse, të gjitha depozitat që tashmë ne i ndërtojmë, sistemin SCADA që do të ketë çdo ujësjellës i ri, nga ana tjetër çka është më e rëndësishme projektet janë gjithmonë të kompletuara, duke qenë se kemi edhe matësat inteligjentë. Nuk do të kemi më asnjë lloj problematike me faturime aforfe”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, referuar projekteve që aktualisht janë duke u zbatuar në të gjithë vendin, theksoi se zonat bregdetare kanë një vëmendje të shtuar për shkak të sezonit turistik, pasi rrisin me disa fish kapacitetin e tyre për shkak të numrit të vizitorëve.

“Duhet të kemi parasysh që zona si Vlora apo zonat e jugut, 5 deri në 10 fishojnë kapacitetin e tyre të kërkesës për shkak të të gjithë vizitorëve, të turistëve. Duke pasur parasysh që muaji janar i 2025 ka një numër 20% më të lartë të vizitorëve se janari i 2024 është një trend që tregon sesi do të jetë ky vit. Pra, ky vit minimalisht do të ketë 20% më shumë vizitorë se viti i kaluar që u mbyll me 11.7 milionë, ndaj duhet të kemi parasysh që ujësjellës-kanalizimet janë një nga pikat e shërbimit më kritike, ashtu siç është edhe energjia që kërkojnë vëmendje të veçantë dhe sidomos zonat siç është Durrësi, Shëngjini, Velipoja, Vlora më shumë nga të gjitha, Radhima e më pas gjithë jugu”, tha Balluku.

Faza e parë e projektit të ujësjellësit të Mamurrasit përfshinë furnizimin e qytetit, ndërsa më pas do të shtrihet edhe në 7 fshatra të tjerë të zonës.