Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se PDK-ja s’do të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Vetëvendosja ka humbur një numër të madh të votave. Shumë qytetarë që e kishin votuar tash ia kanë kthyer shpinën. Ata erdhën te ne në PDK dhe në LDK. Kryeministri në detyrë i paraqiti zgjedhjet si referendum për veten, por qëllimi s’u arrit. Ai i kërkoi 500.000 vota, por s’i mori. S’ia dhanë qytetarët. Sot shumica e qytetarëve shqiptarë nuk duan që e njëjta qeveri të vazhdojë. Në këto zgjedhje janë fuqizuar partitë opozitare. Ne s’do të përfshihemi në asnjë koalicion me LVV-në”, është shprehur ai.
Hamza ka thënë se PDK-ja ka dallime të mëdha me VV-në, duke shtuar se ata “duan pushtet absolut dhe s’kanë program”.
Kandidati për kryeministër ka thënë se po i pret rezultatet finale, dhe shtoi se i pret që t’i ketë mbi 200.000 vota. Duke folur për VV-në, Hamza tha se kanë nxitur urrejtje gjatë fushatës.
“Ata i ofenduan kundërshtarët e përmes kësaj edhe qytetarët e Kosovës. Nxitën urrejtje e ne bashkim dhe bashkëpunim, prandaj kemi detyrim që t’ua japim qeverinë qytetarëve që e duan dhe e kanë votuar. Do të ndërmarrim hapa në kohën e duhur për të zbatuar vullnetin e shumicës. Do të punojmë që t’u japim një qeveri që e ka votuar shumica”, ka shtuar ai.