Shqipëria, lider në fushën e Blockchain, kriptomonedha, Bitcoin – sado i çuditshëm të duket si premtim, në fakt është një nga shtyllat e programit ekonomik të PD. Sali Berisha disa herë me radhë e ka përsëritur këtë alternativë, që do të ofrojë me ardhjen e tij në pushtet, një premtim që duket i ngjashëm me atë të fushatës së presidentit Trump, por shumë larg realitetit të një Shqipërie, e cila, përpara se të mendojë për kriptomonedhat, ka nevojë për një “shkundje” në pastrimin e parave në ndërtim, në formalizimin e ekonomisë dhe në aspekte të tjera shumë më të prekshme për shqiptarët sesa Bitcoin.
E çuditshme është të mendohet se, në një kohë kur të gjitha raportet ndërkombëtare flasin për një fluks të madh parash të futura në ekonominë shqiptare si pastrim parash – kryesisht në ndërtimin e kullave – kryetari i opozitës e ka fokusin te legalizimi i kriptomonedhave.
Vërtet është fushatë dhe duhet premtuar pa limit, por natyrshëm lind një pyetje e thjeshtë: Pse Berisha po këmbëngul për legalizimin e kriptovalutave? Kush i përdor ato më shumë në Shqipëri? Kush ka më shumë interes për to? A është kjo një përgatitje për një amnisti fiskale të një lloji tjetër? A ka lidhje Sali Berisha dhe familja e tij me një biznes të tillë, që ndërkohë po zhvillohet diku në veri të Shqipërisë?
Mbetet për t’u parë se si do të vijojnë këto zhvillime, ndërkohë që SPAK ka nisur etshëm dhe praktikën për të hetuar krimin elektoral, gjë që nuk ka shkaktuar asnjë entuziazëm në kampin opozitar. Madje Oerd Bylykbashi ka kërkuar posaçërisht që SPAK të heqë dorë nga hetimi për krimet elektorale dhe që me to të merret Prokuroria e Posaçme. Mos vallë kjo është shenjë e fshehjes së diçkaje më të madhe se asfalti elektoral, të cilin PD e denoncon çdo ditë? Fakt mbetet se qeveria dhe eksponentë të rëndësishëm të saj dhe të botës së krimit kanë qenë të implikuar në manipulimin e votës në Shqipëri.
E nëse Rama paralajmëroi se nuk mund të lejojë “përgjimin” e partive politike, Sali Berisha po kërkon që SPAK të mos merret fare me këto hetime. Epo, djalli (dhe krimi elektoral) nuk fshihen gjithmonë në detaje. Zarfat dhe kërcënimet mund të zëvendësohen edhe me Bitcoin, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të jetë ecuria e një prej strukturave më serioze që janë marrë deri më sot me krimin elektoral në Shqipëri. vna.al