Një debat me tone të larta shpërtheu në studion e News24 mes gazetarit Anri Bala dhe deputetit të Partisë Demokratike, Dashnor Sula, në lidhje me masën e arrestit të Sali Berishës dhe menaxhimin e situatave të tilla nga organet e drejtësisë.
Bala hapi debatin me një pyetje direkte, duke kërkuar të dinte pse Berisha nuk u shtrëngua nga autoritetet pas marrjes së masës së arrestit në shtëpi, duke i kujtuar deputetit Sula se Berisha duhej të ishte i ndaluar edhe nga aktivitetet në rrjetet sociale, sipas vendimit të marrë nga gjykata.
“Një pyetje kam, kur Berisha mori masën e arrestit në shtëpi, arresti konkludonte që mos të dilte as publikisht në rrjete sociale,” tha Bala, duke theksuar shqetësimin e tij për mungesën e kontrollit ndaj ish-kryeministrit.
Përgjigja e Sulës ishte e ashpër, duke e mohuar atë që konsideronte si një trajtim të tepruar ndaj Berishës. Ai u përgjigj duke ironizuar, duke theksuar që nuk është aq serioz problemi i Berishës dhe as i frikës nga ai.
”Pse ai është problemi? Kush ka frikë nga Berisha mor?” u shpreh Sula, duke i kundërpërgjigjur Balës dhe duke sugjeruar se nuk ka arsye për të frikësuar nga ish-kryeministri.
Debati mori një tjetër kthesë kur Bala bëri pyetje për kontrollet në shtëpinë e Berishës dhe pasurinë e mundshme të tij. Ai sugjeroi që pas kontrollit të mundshëm, organet e drejtësisë nuk kanë marrë asgjë nga shtëpia e Berishës që mund të konsiderohej si e shtrenjtë.
“Pse nuk e kontrolluan shtëpinë e Berishës e veshmbathjet e gruas? Më thuaj një orendi që kanë marrë nga shtëpia e Berishës që mund të jetë e shtrenjtë. Berisha po të ishte i lirë do shiste sallatë me ato që thotë Dashi,” u shpreh Bala, duke ironizuar mbi pasurinë e Berishës.