Një opozitë alternative me disidentë të Partisë Demokratike. Kështu e quan Dashamir Shehi koalicionin që po përpiqet të formojë përpara zgjedhjeve parlamentare të 2025.

Në një konferencë për shtyp, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar nënkuptoi se në gjirin e këtij koalicioni janë të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga Berisha, ndërsa ironizoi kampin ekëtij të fundit, për qëndrimet ndaj SPAK, si dhe për entuziazmin e shfaqur së fundmi për ndërprerjen e fondeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, vështirësi po hasin edhe vetë disidentët për tu bashkuar. Shehi pranoi se deri më tani ka arritur dakordësinë me Djathtas 1912 të Enkelejd Alibeajt, kurse me euroatlantikët pa parti të Lulzim Bashës vijojnë ende negociatat. Akoma më larg një marrëveshjeje është me partitë e reja të Adriatik Lapajt dhe Endrit Shabanit.

Në konferencën e së premtes, u zyrtarizua shkrirja e Bindjes Demokratike me Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, ndërsa akuzoi dy partitë e mëdha se duan të kapin votën e diasporës me mitingje partiake nëpër botë. Vetë ai, pranoi se fushatën me diasporën, do e bëjë nëpërmjet rrjeteve sociale.