Deputeti i Partisë Socialiste, Etjen Xhafaj, është shprehur se PD po përgatit skenarin që të akuzojë qeverinë për vjedhje votash, pas humbjes së zgjedhjeve.

Komentet Xhafaj i bëri në ‘Ditari i Fundjavës’ me gazetarin Erion Dushi në A2 CNN, ku tha se kur ka qeverisur PD vendin, e ka lënë me borxhe dhe firmat piramidale.

Ai shtoi gjithashtu se vota e diasporës nuk mund të blihet dhe akuzat e opozitës janë baltosje. Po ashtu sipas tij, mazhoranca po bën të pamundurën që të mobilizojë njerëzit që ta mbështesin në 11 maj, shkruan A2 CNN.

“E kemi parë se çfarë kanë bërë 2 herë që kanë qenë në qeverisje. Herën e parë e lanë me piramidat dhe gropat e tyre, herën e dytë e lanë me detyrimet e pashlyera dhe gropat e tyre.

Mobilizimi ka qenë prerogativa e PS që nga viti 2009 që unë jam bërë pjesë. Pra gjatë gjithë kohës. Jo vetëm për zgjedhje, por gjatë gjithë kohës. Që nga viti 2013 që ne qeverisim Shqipërinë, përgjegjësia është akoma më e madhe, që të komunikojmë me banorët, me votuesit tanë, edhe me ata që nuk na votojnë ne dhe që nuk votojnë fare.

Mobilizimi në Tiranë vjen si pasojë e impaktit që Tirana ka në hartën elektorale të vendit. Po ashtu është edhe motori ekonomik i vendit. Po ashtu është edhe qarku që ka numrin më të madh të votave për PS. Kështu sjellja e kolegut Braçe është një mobilizim më tepër që bëhet krahas edhe prurjeve të reja që do i shtohen ekipit të Tiranës dhe të PS për zgjedhjet e 11 majit.

Regjistrimi është një pjesë e domosdoshme e procesit të votës së diasporës. Opozita e dinte këtë që nga fillimi. Vullneti nga ana e PS ka qenë që nga viti 2009 dhe këtej për votën e diasporës. Ka një fokus të madh që të angazhojmë dhe mobilizojmë të afërmit tanë në diasporë për të votuar. Opozita po parapërgatit një skenar që ne e kemi stërparë në të gjitha zgjedhjet e fundit”, tha Xhafaj.