Pas disa sezonesh te Milani, mbrojtësi Calabria u transferua te Bologna. Calabria, së fundmi ka folur rreth “divorcit” me kuqezinjtë, duke theksuar se ndarja e rrugëve ishte zgjidhja më e mirë.
“E trajtuam këtë situatë me maturi dhe ishte alternativa më logjike. Sigurisht, pati pak trishtim në ndarje, por unë e di mirë sa kam dhënë për atë fanellë. Zgjodha këtë klub si aventurën time të re, sepse besoj se ka potencial. Drejtori më la një përshtypje shumë të mirë gjatë bisedës sonë telefonike dhe, duke jetuar këtu, gjeta një ambient shumë të këndshëm.
Këtu ka një skuadër ambicioze, që punon shumë. Mendoj se mund të më ndihmojë të bëj një sezon të mirë. Edhe unë mund ta ndihmoj ekipin të rritet. Që në momentin e parë që kam mbërritur, jam ndjerë i lumtur dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua”.
Për këshillat e marra nga ish-lojtarët e Milanit, Pobega dhe Saelemaekers: “Kam folur me Tommi dhe Alex, madje edhe për të gjetur shtëpi (qesh). Por, mjafton të shohësh sesi ka punuar Bologna në vitet e fundit për të kuptuar që ishte zgjedhja e duhur për mua.
Hyj në ekip me mënyrën time, nuk jam arrogant, ka respekt të ndërsjellë. Është një ambient i lumtur, diçka shumë e bukur. Më kanë pritur në mënyrë fantastike të gjithë, nga lojtarët te stafi. Është e rëndësishme për lojtarët e rinj të ndihen menjëherë pjesë e grupit”.