Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë u miratua mbarimi i statusit të prokuror të Arjan Ndojas, ish-prokurorit të Durrësit pas kërkesës që kishte bërë ky i fundit. Siç dihet Ndoja tashmë synon angazhimin në politikë, pasi emri i tij doli në listat e primareve të PD-së në Durrës.
Zgjedhjet e primareve në PD do të mbahen nesër (1 mars) ku do të dalë dhe lista e plotë për 11 majin. Kujtojmë se Ndoja u bë protagonist në 2019, ku ishte objektivi i një atentati në rrethrrotullimin e Shkozetit. Emri i tij në primare, është shtuar në afatin e zgjatur me firmë të Sali Berishës, për t’i dhënë më shumë kohë disa kandidatëve.
Sakaq, kujtojmë edhe se Ndoja u shkarkua më 6 maj të vitit 2022 nga Komisioni i Vetingut i shkallës së parë për lidhje të shumfishta me krimin por edhe për pasuri të pajustifikuar. Sipas vendimit, prokurori Ndoja kishte kontrate me të paktën 9 persona të dyshuar dhe të përfshirë në veprimtari të paligjshme.
Ndërkohë gjatë mbledhjes së djeshme KLP morën pjesë edhe përfaqësues të EU 4 JUSTICE dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Seanca nisi me shqyrtimin e procedimit disiplinor nr. 2363/50 prot., datë 30.12.2024, ndaj magjistratit K.Ll. Pas paraqitjes së raportit nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, znj. Daniela Sula, u propozua vendosja e masës disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës në masën 40% për një periudhë 1 vjeçare” dhe masës plotësuese “Largimi nga detyra e kryetarit”.
Magjistrati kërkoi sjelljen e provave të reja, të cilat u pranua për shqyrtim, dhe u vendos caktimi i seancës tjetër dëgjimore më 17 mars në orën 10:00. Këshilli shqyrtoi dhe miratoi dy raporte për vlerësimin etik dhe profesional të prokurorëve Oltjana Çifligu dhe Erjon Shqarri, të cilët u vlerësuan “Shkëlqyeshëm”. Në fund të seancës, u miratua përfundimi pa vendim të procedurës së vlerësimit të përshpejtuar me kërkesë për prokurorët Alma Bramo dhe Blerta Hamza.