Deputetja e Vetëvendosjes dhe njëkohësisht ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një intervistë ekskluzive për Ditarin e Kosovës në A2 CNN, ka pranuar të flasë për atë se çfarë ka në mendje partia e saj të bëjë, teksa votimet po shkojnë drejt fundit.

Duke parë trendin e votave, përfshirë edhe ato të diasporës, që po shkojnë në favor të tyre, duket se kjo parti e ka mbledhur mendjen top: asnjë aleancë me askënd nga opozita, por do të vijojë me ato dy parti që janë Alternativa dhe Lista Guxo.

Sipas ministres Haxhiu, e gjithë narrativa e opozitës është e kotë, pasi jo vetëm që nuk kanë bashkëpunuar me qeverinë edhe për çështje kombëtare, por madje kanë punuar në të kundërt. Për më tepër, kur kanë qenë në pushtet, kanë treguar se nuk janë në favor të Kosovës.