Gazetari Eni Ferhati ka ndarë detaje të reja mbi seancën gjyqësore të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Në një intervistë për “NOW me Erla Mëhillin” në Euronews Albania, ai ka theksuar se përplasja mes prokurorit Olsi Dado dhe Veliajt ishte mjaft e ashpër, por ndërhyrja e kreut të SPAK, Altin Dumani, ka shmangur përshkallëzimin e situatës.
Një nga pikat kryesore të debatit ka qenë çështja e një leje ndërtimi për një pallat, ku ndër përfituesit figuron edhe prokurori Olsi Dado. Ferhati shpjegoi se mbi këtë çështje është kryer një verifikim paraprak, i cili nuk ka evidentuar shkelje ligjore.
“E thashë dhe po e theksoj edhe një herë: ka qenë zoti Dumani ai që e ka frenuar atë seancë, sepse ndoshta debati do të shkonte edhe më ashpër sesa çfarë ka zbardhur gjykata, ose më shumë, siç pretendon zoti Veliaj apo mbrojtësit e tij ligjorë.
Sa i takon konfliktit të interesit për lejen, është bërë një verifikim paraprak. Olsi Dado është një nga përfituesit, por nuk është i vetmi. Ai nuk e ka marrë pallatin në emër të tij, pasi ka edhe trashëgimtarë të tjerë – pothuajse dhjetë persona – që janë gjithashtu përfitues. Ata duket se kanë pasur mesazhe ku Veliaj thotë se ka ardhur Olsi Dado për leje, ndërsa Olsi Dado thotë: ‘E kam mesazhin këtu’.
Por, nëse ti ke pasur një marrëdhënie me dikë dhe pas disa vitesh gjendesh në pozitë për ta hetuar atë person, mendoj se ka një konflikt interesi. Gjithsesi, kjo çështje është verifikuar dhe gjithçka ka qenë në rregull – dhe gjithkush mund ta zhvillojë pronën e tij”, shpjegoi Ferhati.
Gazetari gjithashtu vuri në dukje se Dado ka shfaqur shenja ngarkese emocionale përtej funksionit të tij, duke sjellë si shembull një tjetër seancë, ku ai bëri një gabim në leximin e pretencës për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro.
“Sa i takon ngarkesës që u përmend këtu, një ditë pas seancës, prokurori Olsi Dado, mëngjesin e datës 13, në orën 09:00, lexoi pretencën për ish-kryebashkiakun socialist, Jorgo Goro.
Nuk po e sjell këtë si shembull, por ai ishte i papërgatitur dhe në këtë pretencë kishte bërë një gabim në shkrim, i cili u konstatua nga gjykata. Unë isha vetë në seancë, ku ai kishte harruar të shkruante edhe formën e bashkëpunimit për të cilën akuzohej si Jorgo Goro, ashtu edhe vartësit e tij në Bashkinë e Himarës”, tha gazetari.