Humbje e pabesueshme e Partizanit përballë Bylisit në ‘Arenën e Demave’. Skuadra e kuqe, e cila shënoi dy herë brenda tri minutash lojë (Taipi 13’, Sembene 16’) në pjesën e parë, duke dhënë përshtypjen se mund të triumfonte me goleadë, pësoi disfatë me përmbysje përballë ekipit ballshiot me rezultatin 2-3.

Vetëm dy minuta pas goli të Sembene-s, shkurtoi diferencën në 2-1 Viktor, ndërsa ajo që nuk pritej ndodhi në fraksionin e dytë: Mustapha në të 71-tën dhe Ruci në minutën e dytë shtesë realizuan golat e përmbysjes së madhe për Bylisin, që me këtë fitore shkon në kuotën e 24 pikë, duke iu larguar më shumë zonës së ftohtë.

Në takimin e ‘Loro Boricit’, Vllaznia nuk ia doli të merrte pikët e plota ndak AF Elbasanit, me rezultatin përfundimtar 1-1. Deliu shënoi që në minutën e 12-të për vendasit, por Musta barazoi rezultatin në 24-tën. Katër minuta më vonë, futbollisti më i mirë i Vllaznisë, Bekim Balaj, humbi një 11-metërsh. Në pjesën e dytë, Vllaznia nuk ia doli të gjente golin e fitores, megjithatë me një pikë të fituar ruan vendin e dytë me 45 pikë, një më shumë se Dinamo.