Kryeministri i vendit Edi Rama mbajti sot një takim në Tiranë me asambletë socialiste të njësive 8, 9, 11.
Gjatë fjalës së tij drejtuar socialistëve Rama renditi disa arsye se përse ata duhet të jenë krenar për Partinë Socialiste. Rama tha se këto zgjedhje janë themelore për arsyen se bëhen në momentin kur Shqipërisë i është hapur mundësia për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Këtë Rama e quajti “ngritja e flamurit të Shqipërisë për herë të dytë”.

“Këto janë zgjedhje themelore sepse për herë të parë na është hapur dritarja e një mundësie që dukej e pamundur më parë. Mundësia që brenda pak më shumë se dy vite në të mbyllnim gjithë procesin e negociatave me BE dhe të hapim derën për të hyrë në familjen europiane, dhe pastaj të marrim nga vendet anëtare aprovimin si anëtarë të ri. Kjo është ngritja e dytë e flamurit të Shqipërisë pas atij të 1912”, tha Rama.

“Në këtë proces të djetësisë ka gjëra që nuk shkojnë fare, por në këto 5 vite unë i pari dhe të tjerët, kemi shtrënguar dhëmbët sepse pavarësia ka qenë kryesorja për ta garantuar pavarësinë. Ne duam drejtësi europiane jo si në Rusi, duam drejtësi të formës së prerë jo paraburgim pa gjyq”, tha ai më tej duke u ndalur kështu sërish te arrestimet dhe masat e dhëna nga SPAK ditët e fundit.