Tiranë, 4 shkurt – Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, zhvilloi sot një takim me grupet e hartimit të testit të Maturës Shtetërore 2025, të cilat janë duke punuar për finalizimin e fondit të pyetjeve për provimet e maturës.
Gjatë takimit, Ministrja Manastirliu theksoi angazhimin e Ministrisë për të garantuar një proces të rregullt, transparent dhe të drejtë për të gjithë maturantët, duke siguruar se testimi do të zhvillohet me standarde të larta dhe në kushte të plota sigurie.
“Në këtë proces të rëndësishëm të Maturës Shtetërore kemi filluar prej nëntorit me ngritjen e Komitetit të Maturës Shtetërore. Kemi vijuar në janar me shpërndarjen e testeve model për të gjithë nxënësit maturantë, për t’i njohur ata me testet model vit pas viti dhe për t’i familjarizuar me shkallën e vështirësisë së tyre. Tashmë grupet e hartimit të fondit të pyetjeve të provimeve të maturës janë ngritur dhe jeni ju këtu. Keni filluar të punoni dhe do duhet që shumë shpejt fondi i pyetjeve të kristalizohet, në mënyrë që sipas afateve proceduriale të dilet me testet në provimet e maturës, sipas një konfidencialiteti absolut dhe kjo është shumë e rëndësishme.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastiriu.
Gjithashtu, Ministrja theksoi rëndësinë e një vlerësimi sa më objektiv dhe meritokratik për nxënësit, duke garantuar standarde maksimale që nisin nga procesi i hartimit të testeve deri në administrimin e tyre.
“Duhet që arritjet e nxënësve të testohen përmes një vlerësimi i cili të jetë sa më i saktë, efektiv dhe meritokratik, ashtu sikurse na duhet që të sigurojmë që edhe procesi i administrimit, në raport me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, që nga printimi i testeve, dërgimi në shkolla, elementët e sigurisë, e të gjitha këto të ndiqen në çdo hallkë”, tha Manastirliu.
Ndërkohë janë hapur aplikimet për Formularin A1 që të plotësohet nga të gjithë maturantët të cilët janë aktualisht maturantë dhe që dëshirojnë të hyjnë në provimet e Maturës Shtetërore. Ky formular është i disponueshëm online përmes portalit e-Albania, duke siguruar një proces aplikimi të lehtësuar dhe të aksesueshëm për të gjithë maturantët. Aplikimet për plotësimin e Formularit A1 do të jenë të hapura deri më 12 shkurt 2025.
Ndërkohë, Formulari A1Z është për kandidatët që kanë përfunduar shkollimin në vite të mëparshme dhe dëshirojnë të marrin pjesë në provimet e Maturës Shtetërore. Periudha e aplikimit për këtë formular është më e shkurtër, duke nisur më 11 shkurt dhe duke përfunduar më 12 shkurt 2025.