Shqipëria ka nisur modernizimin, rindërtimin dhe elektrifikimin e mbi 75% të rrjetit të saj hekurudhor. Në raportin më të fundit për financimet e saj të publikuar pak ditë më parë, Banka Europiane e Investimeve (BEI), ndalet edhe tek projektet në Shqipëri.

Fokusi është në ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, që sipas BEI-t në këtë linjë trenat udhëtojnë me një shpejtësi mesatare prej vetëm 50 km në orë përgjatë një traseje të amortizuar.

“Si pjesë e strategjisë së rritjes së qëndrueshme të vendit, qeveria po investon në modernizimin e rrjetit të saj hekurudhor, një plan që do të shkurtojë emetimet, do të përmirësojë sigurinë dhe do të shkurtojë kohën e udhëtimit. Gjithashtu, do të dyfishojë shpejtësinë mesatare të trenave në linjë deri në 120 km në orë”, nënvizohet në raportin e bankës.

Në analizën e saj, BEI thekson se, e ndërtuar kryesisht midis viteve 1947 dhe 1987, infrastruktura hekurudhore e Shqipërisë është përkeqësuar gradualisht për shkak të mungesës së fondeve dhe mirëmbajtjes së pamjaftueshme. Kjo situatë është përkeqësuar nga tërmeti shkatërrues që goditi vendin në vitin 2019.

Si pjesë e Planit Ekonomik dhe Investimeve të Komisionit Evropian, projekti po përfiton nga një paketë financiare e BE-së që përbëhet nga një hua prej 100 milionë euro nga Banka Evropiane e Investimeve, një grant prej 126 milionë euro nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe një hua prej 98,75 milionë euro nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Si një zgjatim i Korridorit Mesdhetar TEN-T, linja hekurudhore Vorë-Hani i Hotit lidh Tiranën me Podgoricën dhe më tej me rrjetin kryesor hekurudhor të Evropës. Është pjesë e planit të qeverisë për të rivendosur rreth 420 km trase që degëzohet në veri dhe lindje nga qyteti i Durrësit.

Marrëveshja me Bankën Europiane të Investimeve për financimin e punimeve të ndërtimit të hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, u nënshkrua marsin e vitit të kaluar nga zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Me mbi 1.9 miliardë euro të investuara në hekurudhat e Ballkanit Perëndimor deri më sot, krahu financues i Bashkimit Evropian është një nga financuesit më të mëdhenj të sektorit në rajon.