Thënia e filozofit amerikano-spanjoll George Santayana se “ata që harrojnë të shkuarën janë të destinuar ta përsëritin atë,” është kthyer në një lloj të vërtete popullore të rëndomtë. Por, nëse historia na tregon diçka, është se ne nuk mësojmë kurrë prej saj. Ajo nuk është një grumbull rrëfimesh paralajmëruese, por një varrezë amnezie kolektive – një lloj teatri makabër ku instinktet më të ulëta njerëzore përsëriten pafundësisht me një rregullsi cinike. Në epokën e sotme, teksa spektri i autoritarizmit të djathtë sa vjen e bëhet më kërcënues, duket sikur nuk kemi mësuar asgjë nga e shkuara. Fasada bashkëkohore e demokracisë, nën udhëheqjen e drejtuesve si Donald Trump, fsheh një relaitet të zymtë: transformimin e krizave humanitare në spektakle të pushtetit, ku emigrantët transportohen forcërisht drejt atyre që nuk ke çfarë tjetër t’i quash, veçse kampe përqëndrimi moderne. Ndërkaq, bota bashkëpunon me heshtjen dhe pasivitetin e saj në këtë teatër.

Jemi shumë të mirë në gritjen e muzeumeve dhe memorialeve të sakrificës njerëzore. Jemi mjaft të mirë edhe për të shpikur mantra si, “Kurrë më!”, apo “Mbijeto për të dëshmuar,” por harrojmë se përtej thirrjeve patetike, bota nuk ka asnjë interes në vuajtjen njerëzore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nevoja për të mbijetuar dhe për të dëshmuar atë çfarë kish ndodhur, nuk ishte vetëm një strategji mbijetese, por një apel për llogaridhënie morale. Ngjashëm, gratë boshnjake dhe kosovare gjetën forcën për t’i mbijetuar mizorive të luftës tek nevoja për t’i treguar shoqërisë atë çfarë iu kish ndodhur, me shpresën se do të shërbente si një akuzë ndaj një bote të gatshme për të toleruar krimin dhe mizoritë si një të keqe të nevojshme. Megjithatë, në fund, mësimet e historisë, të nxjerra nga vuajtje të paimagjinueshme, nuk u përkthyen kurrë në praktika proaktive për mbrojtjen e dinjtetit njerëzor. Përkundrazi, ato janë asimiluar në cinizmin kolektiv të shoqërive që e shohin vuajtjen si një tipar të pashmangshëm, e madje banal, të ekzistencës.

Në një botë ku spektakli ka më tepër vlerë se përmbajtja, neglizhimi i vazhdueshëm i të shkuarës nuk është thjesht padije, por një zgjedhje e qëllimshme. Një refuzim për të pranuar vlerën e vërtetë të jetës njerëzore kur ajo bie ndesh me interesat e pushtetit. Kampet moderne të përqëndrimit, si ai në Guantanamo ku Trump kërkon të dërgojë një pjesë të emigrantëve, nuk janë një devijim tragjik, por pasojë e parashikueshme e një qytetërimi që e ka shitur moralin për fitime afatshkurtra. E shkuara, e tejmbushur me tragjedi mbijetese, shërben sot si një pasqyrë bezdisëse përballë një bote ku të pushtetshmit manipulojnë kujtesën dhe historinë për përfitimet e tyre.

Por ndoshta cinizmi më i madh nuk qëndron tek përsëritja e brutalitetit, po tek dorëzimi ynë i përbashkët përballë idesë se vuajtja e miliona njerëzve s’është tjetër veçse çmimi i progresit. Të mbijetuarit, kujdestarët e ndrojtur të kujtesës, qëndrojnë përpara nesh si dëshmitarë frikësues të paaftësisë sonë për të evoluar moralisht. Historitë e tyre, të cilat do të duhej të shërbenin si thirrje për veprim, injorohen rëndom si relike të një kohe të kaluar. Çdo mizori dhe çdo tradhëti ndaj dinjitetit njerëzor përshëndetet me të njëjtën apati dhe ngritje supesh, sikur bota të ketë pranuar se cikli i mizorive është po aq i natyrshëm sa ndërrimi i stinëve.

Dhe kështu, ndërsa qëndrojmë në prag të një epoke të re errësire, e vërteta e hidhur dhe e pamohueshme është se nuk jemi të dënuar të përsërisim historinë sepse e kemi harruar të shkuarën, por sepse nuk jemi të interesuar të mësojmë prej saj.