Deputeti socialist Plarent Ndreca i marrë i pandehur nga SPAK për akuzën e “shkeljes dhe pabarazisë në tenderë”, ka kërkuar pushimin e çështjes. Në seancën paraprake në GJKKO, ligjvënësi i PS ka kërkuar jo vetëm pushimin e çështjes me argumentin se akuza nuk ka asnjë bazë, por edhe pavlefshmërinë e akteve.

Ndreca akuzohet lidhur me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend, në kohën kur ai ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Por, në një komunikim me gazetarët, Ndreca tha se kjo procedurë nuk i ka shkaktuar asnjë dëm ekonomik shtetit shqiptar. Kjo sipas tij, është vlerësuar edhe nga institucione si Komisioni i Prokurimit Publik, por edhe nga Gjykata Administrative që sipas Ndrecës nuk ka konsideruar shkelje në këtë procedurë prokurorimi.

“Kam heshtur deri tani se doja të flisja para gjykatës. Akuza nuk ka asnjë bazë, e pabazuar në fakte dhe prova, nuk ka dëm ekonomik për shtetin shqiptar, është zero. Asnjë institucion s’ka ngritur pretendime për paligjshmëri. Ka zero dëm ekonomik, çdo institucion që është i specializuar e ka kontrolluar dhe s’ka gjetur asnjë shkelje për ish sekretarin e përgjithshëm. As KPP, as Gjykata Administrative, nuk ka konsideruar shkelje në këtë procedurë prokurimi. Gjykata Administrative ka thënë se procesi është i rregullt, është vlerësuar nga KPP dhe ka konsideruar që vlerësimi është i saktë dhe i drejtë. Kërkova pushimin e çështjes dhe pavlefshmëri aktesh. Kjo procedurë nuk ka shpenzuar asnjë lek nga buxheti i shtetit”, tha Ndreca në një komunikim me gazetarët.

Në lidhje me këtë tender SPAK u vu në lëvizje nga një kallëzim i bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë, të cilat kanë cënuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera.

Po ashtu, sipas KLSH-së ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Ndërkohë nga 4 komisariate rikonstruksioni ka përfunduar vetëm për dy prej tyre atë të Mirditës dhe Komisariatit numër 4.

Sipas hetimeve të SPAK, dyshohet se janë kryer ndryshime të paligjshme në fondin e tenderit, duke favorizuar kompaninë fituese dhe biznesmenin Gjon Radovani.