Dy zyrtarë të lartë të sigurisë në Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) u pezulluan nga detyra të shtunën mbrëma, pas një përplasjeje me zyrtarë të Departamentit për Efiçencën e Qeverisë (DOGE), një zyrë e krijuar nga Elon Musk.
Sipas burimeve të CNN, personeli i DOGE u përpoq fizikisht të hynte në selinë e USAID në Washington, DC, por u ndaluan nga stafi i sigurisë. Zyrtarët e DOGE kërkuan akses në sistemet e sigurisë dhe dosjet e personelit të USAID, duke kërcënuar se do të thërrisnin marshallët federalë nëse nuk lejoheshin të hynin. Dy burime pohuan gjithashtu se DOGE kërkoi qasje në informacion të klasifikuar, të cilin vetëm personat me autorizime të posaçme mund ta kenë.
Tre burime konfirmuan se, pas tensioneve, zyrtarët e DOGE arritën të sigurojnë akses në selinë e USAID. Ky incident, që nuk ishte raportuar më parë, ka shkaktuar reagime të forta mes ligjvënësve, ndërsa DOGE, e lidhur me administratën Trump, kërkon të ushtrojë më shumë kontroll mbi qeverinë federale me qëllim uljen e shpenzimeve.
“Raportimet se individë pa autorizime të përshtatshme mund të kenë aksesuar hapësira të klasifikuara të USAID, si dhe informacion personal të qytetarëve amerikanë, janë tepër serioze dhe të paprecedentë,” tha Senatorja Jeanne Shaheen të dielën. “Ne po kërkojmë menjëherë përgjigje për çdo pasojë të mundshme për sigurinë kombëtare dhe po organizojmë një grup senatorësh dypartiak për ta trajtuar këtë çështje sapo Senati të kthehet nesër,” shtoi Shaheen, demokrate nga New Hampshire dhe anëtare e Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë.
Incidenti ka ngritur shqetësime të thella mbi sigurinë dhe integritetin e informacionit në agjencitë federale.