Nuredin Dumani ka debatuar ashpër dhe ka ngritur akuza për ish-bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, Gentian Sharra dhe Asllan Plaku. Të dy, gjatë deklaratave që ka dhënë për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Dumani i ka akuzuar se kanë tentuar që të “blejnë” dëshminë e tij. Në seancën e djeshme, e cila ka zgjatur deri në orët e vona të pasdites, Nuredin Dumani ka pretenduar se dy shokët e tij i kanë dërguar njerëz në burg që të ndryshonte dëshminë.
Për të dhënë të dhëna të ndryshme për Gent Sharrën dhe Suel Çelën, i kanë ofruar qindra mijëra euro. Pretendimet e tij kanë shkaktuar “irritim” tek të arrestuarit e tjerë.
“Ky është një qenie e shpifur që sajon gjëra, përmend dhe emra, jo Emiliano Shullazi dhe Kudiu që nuk kanë lidhje me këtë çështje,”-tha Gentian sharra, ndërsa Plaku shtoi: Nuredin Dumani ka qenë ai që ka vendosur gjobë prej 200 mijë eurosh për Gent Sharrën dhe 500 mijë euro për Suel Çelën.
Plaku ka qenë krahu i djathtë i Nuredin Dumanit, me të cilin ka kryer krimet e para. Aktualisht, ai është në burg pasi akuzohet për disa vepra penale, përfshirë edhe vrasje.
Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë që është kthyer në të penduar të drejtësisë vijon dëshmitë për dosjen “Plumbi i Artë”. Dumani ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin duke i thënë SPAK kodet e PIN-eve që kishte në aplikacionin “SkyECC”: ‘Totorina”, “Covid 19” dhe “Alcatraz”. Po ashtu, paralajmëroi edhe krime të tjera që do të zbardhen me “Matrix”, aplikacionin më të ri që është dekriptuar nga Europol. Gjatë 3 viteve që ka statusin e të penduarit të drejtësisë, Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Në dosjen ‘Plumbi i Artë’ përmenden të paktën 32 persona të dyshuar dhe akuzuar, nga 4 organizata të ndryshme kriminale. Dëshmitë dhe emrat e bashkëpunëtorëve që Nuredin Dumani u dha prokurorëve të SPAK, kanë zbardhur plot 27 krime e ngjarje të ndryshme të ndodhura gjatë një dekade mes Tiranës, Elbasanit e Durrësit.