Vijon procesi i Rindërtimit në Kombinat për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019. Përveç rindërtimit të banesave, ndërhyrja vazhdon edhe me hapësirat publike mbështetëse ku parashikohen përveç trotuareve e gjelbërimit edhe korsi biçikletash dhe parkime të dedikuara për ta kthyer Kombinatin në një tjetër pol modern të kryeqytetit.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja dhe nga kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës Anuela Ristani, inspektuan zonën e Rindërtimit ku ka nisur edhe hedhja e shortit për 500 apartamente të reja.

“Kemi bërë një plan për rigjenerimin urban të infrastrukturës të këtij blloku ku do i hyjmë gjithë lagjes. Ka pasur dhe shumë politikë brenda, janë bërë disa kërkesa padie e kjo ka bllokuar me vite. Kanë pranuar dhe transaksione e padi edhe pas datës së ngrirjes së çdo veprimi në këtë zonë, shitje e të tjera”, – u shpreh ministri Gonxhja.

“Kjo ka qenë një pjesë e betejës së gjithë Rindërtimit. Për fat të keq janë marrë peng disa zhvillime. Një pjesë i kemi kapërcyer nga gjykatës komplet të papërgjegjshëm. Edhe vonesa këtu në Kombinat e një pjese është e lidhur pikërisht me një lojë të bërë të individëve të caktuar me gjykatës dhe mashave politike që janë futur për ta penguar, sepse nëse do ishin bërë gjërat sipas kalendarit dhe pa këto pengesa, sot praktikisht gjithë investimi do kishte përfunduar. Mirëpo kjo është historia në këtë vend e në këtë qytet. Durim, sepse siç po e shihni, shtëpitë të gjithë po i merrni më të forta, më të mira, më të bukura se ato që i kishit dhe mbi të gjitha falas”, – theksoi Kryeministri.

Përveç 500 apartamenteve që po ndahen me short, puna vazhdon edhe për pjesën tjetër të projektit ku do të strehohen të gjitha familjet që humbën shtëpitë nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit.