Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja replikoi sot me deputeten e Partisë Demokratike në Kuvend, Jorida Tabaku në lidhje me kompensimin e pronarëve në zbatim të ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Deputetët Tabaku dhe Leskaj folën për ecuri të ngadaltë të zbatimit të ligjit nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar. Ministri Manja tha se “ju e dini që kalvarin që pati ky ligj, pasi u miratua në Kuvendin e Shqipërisë u atakua deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Pasi u atakua atje pati disa ndërhyrje dhe rekurse vitin që kaloi pezulloi efektet e zbatimit të këtij ligji deri në fillim të vitit që lamë pas ku lanë në fuqi ligjin që ne miratuam pas rekomandimeve që bëri Gjykata Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.

“Ne nuk na u dha mundësia që të punojmë plotësisht, pra Agjencisë së Trajtimit të Pronave nuk iu dha mundësia që të punojë në kohë të plotë me ligjin 133 të vitit 2015. Por nuk është e vërtet nga momenti i zbatimit ne nuk kemi kompensuar financiarisht ish-pronarët, por edhe me kompensim fizik ish-pronarët. Pastaj diskutimet e tjera a janë të kënaqur ish- pronarët me këtë ligj a refuzojnë të marrin kompensimin financiar apo kompensimin fizik unë mendoj se çështja e kushtetueshmërisë dhe antikushtetueshmërisë është e zgjidhur për sa kohë ligji është në fuqi”, nënvizoi Manja.

Manja u shpreh se “punonjësit e Agjencisë së Trajtimit të Pronave përderisa ky ligj është në fuqi janë të detyruar të zbatojnë efektet e këtij ligji”. Duke iu përgjigjur edhe deputetit Leskaj, ministri Manja tha se “nuk është problemi se ka pasur paaftësi paguese të qeverisë për të përmbyllur këtë proces në 10 vite. Lekët kanë qenë dhe janë aty, procesi ka ecur ngadalë për ato arsye ligjore që unë sapo shpjegova. Nuk mungojnë paratë në Agjencinë e Trajtimit të Pronave për ta përmbyllur procesin e trajtimit financiar të vendimeve që janë dhënë nga ATP”.

Por, shtoi Manja, tani që ligji ka filluar me kohë me ritme të shpejta zbatimin ne kërkojmë shtyrjen e këtij afati që ta përmbyllin këtë proces me njohjen në 2027 dhe ekzekutimin e vendimeve në 2028. “Këto dy afate janë produkt i një analize që është bërë me dosjet dhe vendimet që janë në Agjencinë e Trajtimit të Pronave”, tha Manja. Duke ftuar deputetët të votojnë ndryshimet në këtë ligj, Manja tha se “shtyrja e afateve zhbllokon punën tek ATP sepse njohja është pezulluar në dhjetor 2024 ne tashmë thjesht po bëjmë një inventarizim të dosjeve por s’kemi të drejtën të shprehemi me vendime njohjeje. Votimi i sotëm i hap rrugë këtij procesi”.