Kryeministri Edi Rama tha sot në takimin me asamblenë socialiste në njësinë 3 dhe 4 në kryeqytet se shëndëtësia ka probleme, por gjithashtu janë ndërtuar 53 spitale. Rama komentoi dhe “Sterilizimin”, për të cilin tha se është gjithë “sy e veshë” për të pritur rezultatin e procesit. Më tej shtoi se kur kjo qeveri bëri sterilizimin Shqipëria ishte vendi me numrin më të lartë të infeksioneve spitalore në Evropë.
“A ka probleme shëndetësia? Patjetër ka probleme, po kemi ndërtuar 53 spitale, 10 totalisht të reja që nuk ekzistonin, 43 të tjera nga themelet i kemi rrëzuar në tokë dhe i kemi ringritur. 53 spitale, 400 qendra shëndetësore ka sot me ambulanca Shqipëria, ndërkohë që dikur thuhej që atje ka një qendër shëndetësore. Po atje kur shkoje, po të ishe me fat, gjeje një infermier duke pirë cigare. Po të ishe me fat, gjeje një infermier, doktor nuk bëhej fjalë. Dhe në qoftë se gjeje një infermier duke pirë cigare, gjeje edhe një krevat me ndryshk dhe me një batanije ushtarake të kohës së zboreve.
Tani kemi 400 qendra shëndetësore që kanë infermier, kanë mjek, kanë të gjitha pajisjet e nevojshme për shërbimin parësor që të mos flas për sterilizimin se për sterilizimin gjithë populli ka dëgjuar vetëm që është bërë një korrupsion i madh. Jam sy e vesh për të parë deri në fund rezultatin e procesit, por ama di një gjë, që kur ne e bëmë sterilizimin Shqipëria ishte vendi me numrin më të lartë të infeksioneve spitalore në Europë, domethënë si rregull futeshe në spital për një organ dhe me atë rast merrje dhe një infeksion dhe kjo bëntë që pasi të mbaroje punë me operacionin,të rrije dhe ca ditë të tjera për infeksionin dhe paguante populli shqiptar, ndërkohë që po të shohësh sot, të njëjtat materiale që përdoren për operacione, për ndërhyrje kirurgjikale në Gjermani përdoren dhe në Shqipëri dhe po të shohësh ditët e shkurtuara të qëndrimit në spital për shkak të rënies së infeksioneve, përfitimi nga shteti është ku e ku më i madh sesa gjithë masa e akuzave që janë bërë po akuzat janë temë tjetër, do flas pak më mbrapa. “, u shpreh Rama.