Policia Kufitare e Portit të Durrësit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Porosia”, duke goditur një tentativë për kontrabandimin e pajisjeve elektronike në Shqipëri.

Gjatë kontrolleve të imtësishme, u arrestuan dy shtetas, 43-vjeçari A. U. dhe 35-vjeçari A. H., të cilët dyshohet se ishin përfshirë në kontrabandimin e 23 celularëve iPhone, 16 Pro Max dhe 2 laptopëve, të cilët ishin transportuar pa dokumente blerjeje nga Gjermania për llogari të A. H. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Njoftimi:

Port, Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Porosia”. Goditet një rast i tentativës për të kontrabanduar në Shqipëri, pajisje elektronike.

Kontrabandoi nga Gjermania, 23 celularë (iPhone 16 Pro Max) dhe 2 laptopë, për llogari të djalit të pronarit të kamionit që drejtonte, vihet në pranga 43-vjeçari.

Në pranga dhe shtetasi për llogari të të cilit ishin kontrabanduar pajisjet.

Sekuestrohen pajisjet.

Si rezultat i kontrolleve të imtësishme të kryera në hyrje/dalje të Shqipërisë, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e krimeve në kufi, Policia Kufitare e portit të Durrësit finalizoi operacionin policor të koduar “Porosia”.

Gjatë operacionit u vunë në pranga shtetasit A. U., 43 vjeç, dhe A. H., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Në kamionin që drejtonte 43-vjeçari, në hyrje të Shqipërisë, u gjetën 23 celularë (iPhone 16 Pro Max) dhe 2 laptopë, pa fatura blerjeje, të cilat dyshohohet se ishin kontrabanduar nga Gjermania, për llogari të shtetasit A. H. (djali i pronarit të kamionit që drejtonte shtetasi A. U., dhe njëkohësisht shtetasi që priste pajisjet). Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.