Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se nuk do të pranojë krijimin e një qeverie teknike apo tranzicioni, ndonëse ka shprehur gatishmërinë për të shkuar drejt zgjedhjeve të reja. Deklarata e tij vjen në një klimë tensioni politik të shkaktuar nga protestat masive në vend, pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

“Nuk do ta jap kurrë dorëheqjen dhe nuk do të ketë qeveri teknike apo tranzicioni. Do të ketë vetëm qeveri serbe,” u shpreh Vuçiç gjatë një fjalimi para mbështetësve të tij.

Ai i cilësoi protestat e fundit si të nxitura nga “shërbime të huaja sekrete” dhe theksoi se e vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës janë zgjedhjet dhe referendumi.

Protestat, të cilat kulmuan me bllokimin e tri urave mbi lumin Danub nga dhjetëra mijëra qytetarë, u organizuan nga studentët dhe qytetarët që kërkojnë përgjegjësi ligjore dhe politike për shembjen tragjike të tavanit të stacionit hekurudhor në Novi Sad, që mori 15 jetë tre muaj më parë.

Opozita dhe studentët kanë refuzuar idenë e zgjedhjeve të reja pa një garanci për kushte të ndershme dhe transparente. Sipas analistit politik Dusan Spasojeviç, mungesa e një pale neutrale, si Bashkimi Europian, e ka komplikuar situatën, pasi BE-ja deri më tani ka qëndruar pasive ndaj krizës.

Ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten, studentët po diskutojnë hapat e ardhshëm të lëvizjes së tyre, duke shqyrtuar mundësinë e përshkallëzimit të protestave. Një vendim për strategjinë e mëtejshme pritet të merret në mbledhjen e tyre të radhës.