Bayer Leverkusen arrin të sigurojë një biletë për në fazën gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë, vetëm pas kohësh shtesë. Kualifikim dramatik mund të konsiderohet ai i “aspirinave”, që ndryshe nga pritshmëritë djersin pafund ndaj Koln, skuadër që militon në ligën e dytë gjermane.
Miqtë arritën të befasonin skuadrën e Alonsos në fundin e pjesës së parë, kur kaluan në avantazh me Downs. Megjithatë gjërat do të komplikoheshin edhe më shumë për skuadrën e Leverkusen, pasi 9 minuta nga nisja e pjesës së dytë, do të ishte Maina që do të çonte shifrat në 0-2.
Reagimi i “aspirinave” do të ishte i menjëhershëm, me Wirtz që bën një stopim spektakolar të topit dhe nga e majta nis një pasim për Patrick Shick që godet saktë për ngushtimin e diferencës. Sulmuesi çek do të ishte protagonist në minutën e 6 të kohës shtesë teksa me kokë do të gjente saktë cepin e portës duke barazuar shifrat në 2-2 dhe duke e çuar sfidën në 30 minutat e kohës shtesë.
Victor Boniface do të shfrytëzonte një pasim të saktë nga e majta për golin e avantazhit e të përmbysjes së shifrave 8 minuta nga nisja e kohës shtesë. Por drama në “Bay Arena” nuk do të kishte të përfunduar, teksa miqtë do të barazonin 3-3 në të 112 me Rondic, por VAR do t’i vinte në ndihmë “aspirinave” me golin që do të anulohej për pozicion të parregullt.
Përfundimisht 3-2 për Leverkusen, që djersin shumë, por siguron një biletë mes 4 më të mirave në Kupën e Gjermanisë.