Historia e parë e dashurisë e rrëfyer në programin “Rudina” në Tv Klan që i është kushtuar festës së Shën Valentinit, ishte ajo e mjekëve Marsida Duli dhe Qamil Dika. Ata janë bashkë që prej vitit 2012 dhe kanë dy djem.

Përgjatë rrëfimit, çifti tregoi jo vetëm njohjen, por edhe shkrirjen e pasionit për punën dhe dëshirës për të ndërtuar një jetë së bashku. Partneriteti në jetë e profesion i ka bërë shokët më të ngushtë të njëri-tjetrit, të gatshëm për të ndarë gjithçka mes tyre.

Sot në program, ata bënë edhe dedikimet e dashurisë. E para e mori fjalën dr. Marsida që tha se gjysma e saj më e mirë është “dashuria më e madhe e jetës”.

“Do t’i thosha që është patjetër dashuria më e madhe e jetës sime, përveç kalamajve, është një gjë e pandarë, një trilogji që kam në zemrën dhe në mendjen time sepse kam tre çuna, kam tri dashuri dhe është forca, motivi i përditshëm i jetës sime dhe gjithë familjes”.

Dr. Qamili i kishte shprehur të gjitha fjalët e tij përmes një letre dashurie të vendosur brenda buqetës me trëndafila, ku shkruhej:

“E dashur Marsida! Ti e di mirë që unë nuk kam aspak dëshirë të manifestoj publikisht e aq më pak në televizion apo mediatikisht emocionet e mia. Gjithsesi, në këtë ditë të shenjtë të Shën Valentinit ku kremtohet dashuria më lejo të të them dy fjalë. Ti erdhe në jetën time si rreze mëngjesi duke ngrohur shpirtin po aq fort sa dielli ngroh tokën dhe duke u shndërruar në një energji jetësore për të krijuar familjen tonë të mrekullueshme. Në familjen tonë ti je një lule plot ngjyra, ti ishe një magji për mua që më bëre të ëndërroj, tashmë je një ëndërr e cila më frymëzon me aromën e Amosit dhe Anselit çdo ditë. Kjo është dashuria, kjo je ti për mua. Unë uroj që ne të kemi shëndet, të gëzojmë familjen dhe çdo gjë të bukur që na rezervon jeta, një rrugëtim shumë i gjatë së bashku”, përfundoi ai duke i dhuruar një puthje Marsidës./tvklan.al