Nga Evarist Beqiri*

Vrasja e presidentit Xhon F. Kenedi, mbetet edhe sot e gjithë ditën një prej enigmave më të mëdha të shekullit të kaluar. Prandaj, vendimi i Presidentit Trump për deklasifikimin e dokumenteve të mbetura, lidhur me vrasjen e presidentit Xhon F. Kenedi, të vëllait Robert F. Kenedi dhe Martin Luter King-ut, ka zgjuar sërish kureshtjen e njerëzve në mbarë botën. Me këtë shkrim po ndalemi veçanërisht tek thelbi i trashëgimisë së udhëheqësisë së presidentit Kenedi.

Jam njohur më së shumti me trashëgiminë e presidentit Kenedi, kur vendosa që të përkthej në shqip librin “Lidershipi i John F. Kennedy-it-Mësimet dhe Trashëgimia e një Presidenti”, si një homazh për trashëgiminë e presidentit më karizmatik të historisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Natyrshëm lind pyetja, pse ai arrin të frymëzojë kaq shumë njerëz në mbarë botën, edhe sot, dekada pas vdekjes së tij?

Pse njerëzit vazhdojnë ta duan atë si asnjë president tjetër?
Pse për punën e tij, kishte miratueshmërinë më të madhe, që ka pasur ndonjëherë një president amerikan në detyrë?

Pse presidentët amerikanë dhe liderët në mbarë botën përpiqen t’i ngjasojnë, akoma edhe sot? Dhe pyetjet vijojnë…

Unë nuk kam ndërmend t’u jap përgjigje gjithë këtyre pyetjeve me anë të këtij shkrimi. Por ajo që me siguri mund t’ju them është fakti që, shoqëria njerëzore dhe ajo shqiptare në veçanti, kanë nevojë dhe po lëngojnë, për modele njerëzish të këtij kalibri, që me veprat e tyre ndryshuan botën. Ajo çka mungon në shoqërinë shqiptare është pikërisht aftësia për të sakrifikuar sadopak interesin vetjak për hir të një të mire më të madhe publike. Për të forcuar demokracinë, ne kemi nevojë për lider kurajoz, karakterialisht të fortë dhe të cilët udhëhiqen nga ideale fisnike.

Tipari më sublim i njerëzve të mëdhenj, thotë Stefan Cvjag, është aftësia e tyre për të sakrifikuar interesin vetjak për hir të një interesi më të madh publik. Pikërisht këtë tipar John F. Kennedy e personifikonte dhe e ktheu në një postulat, me anë të thirrjes “…Mos pyesni çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju; pyesni çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj…”

Presidenti Kenedi, ishte vetëm 43 vjeç, kur u zgjodh president, duke u bërë njeriu më i ri i zgjedhur në atë post. Megjithëse vinte nga një familje e pasur, ai nuk u kënaq kurrë vetëm me shijimin e privilegjeve që mund t’i ofronte një jetë e tillë, por krijoji një profil publik të vetin. Ai në kundërshtim me dëshirën a babait të tij, Joe Kennedy Sr., vendosi të merrte pjesë në Luftën e Dytë Botërore. Fillimisht, u punësua në Shërbimin Inteligjent të Marinës, në Uashington. Dëshira e tij ishte të shkonte në front, por shëndeti i keq nuk ia lejonte këtë. Megjithëse, më pas, ai arriti ta realizonte këtë dëshirë duke rrezikuar edhe jetën gjatë luftimeve me japonezët. JFK ishte një njeri ambicioz dhe me karakter shumë të fortë, ai nuk u dorëzua kurrë përballë vështirësive të jetës. Për shkak të problemeve shëndetësore, ai mësoi t’i përballonte vuajtjet dhe vështirësitë që në fëmijëri. Pavarësisht vështirësive që hasi, ai i shërbeu vendit të tij me devotshmëri, besnikëri dhe kurajë të pa masë, në të gjitha funksionet publike që mbajti përgjatë karrierës së tij.

Presidenti Kenedi qëndroi më pak se tre vjet në Shtëpinë e Bardhë. Ai nuk e përfundoi dot as një mandat të plotë presidencial. Megjithatë me vizionin e tij, ai i drejtoi sytë e amerikanëve drejt yjeve, duke e dërguar njeriun në Hënë dhe njëkohësisht veten e tij në piedestalin ku qëndrojnë të mëdhenjtë e historisë botërore.

Një nga momentet më delikate të presidencës së tij ishte menaxhimi i krizës së raketave në Kubë në 1962, ku dy superfuqitë botërore Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik rrezikuan të shkaktonin një luftë bërthamore. Ky ishte momenti kyç, kur lufta e ftohtë u bë e nxehtë. Shumica e këshilltarëve të tij ushtarak i sugjeruan bombardimin e pozicioneve në Kubë. Presidenti Kenedi ishte i ndërgjegjshëm për rrezikun që po i kanosej botës, prandaj dhe zgjodhi bllokadën ndaj anijeve sovjetike në vend të bombardimit.

Më pas, JFK dhe Hrushovi arritën një marrëveshje dhe hodhën hapat e para për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Kenedi hodhi themelet e programit hapësinor amerikan, për eksplorimin e hënës dhe planeteve të tjera.

Ai ishte i pari president, që e trajtoi çështjen e të drejtave civile si një çështje po aq sa morale aq edhe politike. JFK ishte një hero i Luftës së II Botërore. Pjesëmarrja në këtë luftë e shënjoi atë thellësisht dhe bëri që ai të ishte një president i zotuar ndaj paqes, aq sa dëshironte si epitaf mbi varrin e tij mbishkrimin “Ai e ruajti paqen”. Presidenti Kenedi ishte një lider karizmatik, jeta dhe vdekja e tij, i shërbejnë njerëzimit si simbole të idealeve fisnike dhe shpresës për një botë më të mirë.

Xhon F. Kenedi ishte një hero i luftës që dashuronte paqen dhe që bëri gjithçka për të. Ai me karakterin e tij të jashtëzakonshëm, çiltërsinë e natyrshme, oratorinë, që përfaqëson majën më të lartë të artikulimit politik, e ndryshoi politikën amerikane njëherë e përgjithmonë.

Ai ishte një “idealist, pa iluzione”. Imazhi i tij rinor jeton përjetësisht në kujtesën tonë dhe vazhdon ende të frymëzojë udhëheqës dhe njerëz të thjeshtë, kudo në botë. Fjalët dhe vepra e tij jehojnë edhe sot.

Ajo çka ne presim nga ata që na udhëheqin është mbi të gjitha të jenë burim frymëzimi. Tek ky frymëzim pasqyrohet imazhi që do të donim të shikonim për veten dhe të ardhmen e vendit tonë. Një frymëzim që na jep forcë për të nxjerrë më të mirën nga vetja, me qëllim përmirësimin e të ardhmes sonë ditë pas dite.

John F. Kennedy ishte një idhtar i paqes në botë. Ai ishte ideatori dhe themeluesi i Trupave të Paqes, për nxitjen e paqes dhe miqësisë midis kombeve. Ai ishte njeriu që shmangu me mjeshtëri fillimin e një lufte të tretë botërore dhe të një katastrofë bërthamore për mbarë njerëzimin.

JFK ishte ndër të parët që nënvizoi kalbësinë e sistemit komunist dhe parashikoi fundin e tij. Ai i hodhi mbi krye presidencës amerikane petkun perandorak dhe ndryshoi njëherë e përgjithmonë mënyrën si qeveriset në Shtëpinë e Bardhë. Dhe njëherë e përgjithmonë, me konferencat e tij të famshme të shtypit, e ndryshoi mënyrën si komunikojnë me publikun presidentët amerikanë dhe politikanët në mbarë botën.

Ai ishte nismëtar i disa prej arritjeve më madhështore të kombit të tij dhe të mbarë njerëzimit, siç ishte fluturimi i parë i njeriut në Hënë, dhënia fund diskriminimit të ligjëruar racial, si dhe Luftës së Ftohtë.

Të gjitha këto arritje bëhen akoma edhe më të jashtëzakonshme, po të kihen parasysh sëmundjet e rënda që e shoqëruan gjatë gjithë jetës së tij të shkurtër. JFK ka qenë i sëmurë më tepër se cilido president tjetër…

Janë këto gjëra dhe shumë të tjera, ato që e bëjnë edhe sot frymëzuese udhëheqësinë e John F. Kennedy-t. John F. Kennedy ishte njeri me karakter të jashtëzakonshëm dhe me kurajë të pamasë. Asnjë president tjetër amerikan deri më sot, nuk ka arritur të frymëzojë kaq shumë njerëz në mbarë botën si ai.

Trashëgimia e lidershipit të tij është një pasuri e njerëzimit dhe u shërben gjithë njerëzve që synojnë të jenë pjesë e jetës publike. John F. Kennedy kërkonte që kombi i tij të “praktikonte atë që predikonte rreth barazisë së të drejtave dhe drejtësisë sociale.”. Ai dëshironte ta shkëpuste vendin e tij nga ideologjia e militarizimit.

Ne duhet të vazhdojmë t’i mbajmë gjallë këto ideale fisnike, në mënyrë që flaka e përjetshme që vazhdon të shkëlqejë në Arlington, të mos shuhet kurrë…

Fjalët e të vëllait, Robert Francis Kennedy (RFK), përmbledhin thelbin e trashëgimisë së Presidentit John F. Kennedy: “…Nëse ka diçka së cilës Presidenti Kennedy i qëndroi fort dhe që preku ndjenjat më të thella të të rinjve në mbarë botën, ishte besimi se idealizmi, synimet e mëdha dhe bindjet e thella nuk janë të papajtueshme me programet më praktike dhe eficente; se nuk ka mospërputhje thelbësore ndërmjet idealeve dhe mundësive reale, nuk ka ndasi ndërmjet dëshirave më të zjarrta të zemrës dhe mendjes, dhe zbatimit racional të përpjekjeve për problemet njerëzore. Është jorealiste ose kokëfortësi të zgjidhësh problemet dhe të ndërmarrësh veprime, pa pasur si busull drejtuese qëllimet dhe vlerat më të larta morale, megjithëse të gjithë njohim disa që pretendojnë të kundërtën. Në gjykimin tim, kjo është një marrëzi e madhe, pasi ajo injoron realitetin e shpresës, të pasionit njerëzor dhe forcën e besimit, që në fund të fundit janë shumë më të fuqishme se të gjitha llogaritjet e ekonomistëve apo të gjeneralëve tanë. Natyrisht, për t’u përshtatur me standardet, me idealizmin, me vizionin, i cili do të përballet me rreziqet e atypëratyshme, duhet kurajë dhe vetëbesim i madh. Por ne dimë edhe se, vetëm ata, të cilët guxojnë të dështojnë fort, mund të arrijnë gjëra madhështore…”

JFK është një nga politikanët më popullor të të gjitha kohërave. Si çdo politikanë, ai pati sukseset dhe dështimet e veta. Presidenca e tij u përball me shumë kriza, si jashtë vendit, në Berlin, Kubë, Laos, Vietnam, ashtu edhe brenda vendit Xhorxhia, Misisipi dhe Alabama. Disa prej këtyre problemeve ai i përballoi me kurajë dhe i zgjidhi, disa të tjera ai nuk arriti t’i zgjidhte. Pas vdekjes trashëgimia e tij ka ardhur duke u forcuar. JFK mëshiron në sytë e shumë njerëzve presidentin ideal, politikanin, i cili ishte në gjendje të ndërthurte idealet më të larta njerëzore me politikat në shërbim të njerëzve. Ai me thirrjen e tij për t’i drejtuar sytë nga yjet, i bëri amerikanët të besojnë se aftësitë e kombit të tyre ishin të pakufishme dhe asgjë nuk ishte e pamundur për ta. Ai kërkonte një botë më të mirë ku paqja dhe liria të ishin të mundshme për të gjithë.

Mënyra e komunikimit dhe fjalim-bërjes së JFK, është një manual shumë i vlefshëm për çdo politikan modern. Përveç sharmit, mirësisë dhe hijeshisë personale, ai dinte t’i zbukuronte fjalimet e tij me shprehjet e poetëve dhe filozofëve. Citatet e marra nga fjalimet e JFK, janë të gdhendura sot në zemrat dhe mendjet e shumë njerëzve në mbarë botën.

Presidenti Kenedi ishte një orator i jashtëzakonshëm, i cili lindi me televizionin dhe diti ta shfrytëzoj atë më së miri. Sot, realiteti i Inteligjencës Artificiale, i mediave sociale, e vendos njeriun para sfidave të tjera, të cilat duhet të zotërohen si duhet. Përshtatja e JFK me televizionin, shërben si një shembull shumë i mirë për të mësuar mënyrën sesi duhen përballuar këto realitete të reja.

Thirrja e famshme e JFK, për t’i shërbyer vendit mbetet përherë aktuale. Emri i tij, lulëzon sot dhe simbolizon diçka thuajse mistike, idealet, shpresat, të cilat po përpiqen t’i gjejnë brezat pasardhës. Objektivat progresive dhe të guximshme të Presidentit Kenedi, përbënin rrezik ndaj interesave të ngërthyera mes tyre, prandaj ato komplotuan për t’i marr jetën. Por martirizimi i Presidentit Kenedi, i Martin Luter King-ut dhe i Robert F. Kenedi-t më pas, vetëm sa i ka forcuar idealet për të cilat ata dhanë jetën. Shumë të rinj në mbarë botën e shikojnë shpresën për një botë më të mirë, pikërisht tek trashëgimia e këtyre njerëzve.

Kjo trashëgimi shërben si një yll ndriçues për të gjithë ata që në zemër kanë gjithmonë dëshirën e zjarrtë për të ndryshuar botën…

*Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri).