Ruben Amorim, trajner i Manchester United, e lidhi shkarkimin e disa punonjësve brenda klubit me performancën e skuadrës në fushë, një situatë që ka shkaktuar pakënaqësi te disa lojtarë, sipas ‘The Sun’.

“Duhet t’u kushtojmë vëmendje të gjitha problemeve të klubit, por një aspekt i rëndësishëm është të kuptojmë si kemi arritur në këtë situatë.

Kjo lidhet shumë me mungesën e suksesit të ekipit.

Ne jemi motori i klubit,” ishin fjalët e trajnerit portugez, të cilat, sipas medias britanike, kanë krijuar një atmosferë të pakëndshme në skuadër.

Një burim i cituar nga ‘The Sun’ deklaroi: “Në Carrington duket sikur gjithçka është në rregull mes lojtarëve dhe Ruben Amorim.

Por e vërteta është se ata janë të frustruar nga fakti që po fajësohen për problemet financiare të klubit.”

“Megjithatë, ata nuk e kanë sfiduar trajnerin sepse ende nuk kanë krijuar lidhje të forta me të.

Ai është shumë i qartë për atë që kërkon në fushë dhe lojtarët po përpiqen ta zbatojnë këtë.

Por, edhe pse disa e mbështesin plotësisht taktikën e tij, ndihen të frenuar sepse Amorim është shumë i prerë në kërkesat e tij,” shtoi burimi.

Në fund, ai theksoi: “Lojtarët po bëjnë atë që u kërkohet, pavarësisht nëse janë dakord apo jo… ata ndihen sikur nuk mund të shprehin asnjë pakënaqësi, sepse kjo mund të kthehet në një problem.”