Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ishte gati për negociata të drejtpërdrejta me homologun e tij rus Vladimir Putin dhe liderë të tjerë për t’i dhënë fund luftës që filloi pothuajse tre vjet më parë. I pyetur nga prezantuesi britanik Piers Morgan në lidhje me mundësinë e negociatave me Putinin, Zelensky u përgjigj se ai do ta bënte këtë “nëse do të ishte e vetmja mënyrë për të sjellë paqe për popullin ukrainas dhe njerëzit e tij nuk do të lëndoheshin dhe të vriteshin”.

Në këtë rast, Zelensky tha se do të pranonte një takim me “katër pjesëmarrës”, pa specifikuar se cilët do të ishin ata. Megjithatë, prezantuesi Piers Morgan kishte përmendur më herët mundësinë e negociatave midis Ukrainës, Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Intervista e dhënë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u transmetua në kanalin “Piers Morgan Uncensored” në YouTube. Kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ka ringjallur spekulimet për negociatat e afërta që synojnë t’i japin fund pushtimit rus të Ukrainës, i cili filloi në shkurt të vitit 2022.

Zelensky e kishte refuzuar vazhdimisht mundësinë e negociatave, duke thënë se donte të fitonte luftën me Rusinë. Në një dekret që nënshkroi në tetor 2022, ai përjashtoi çdo negociatë me Moskën ndërsa Putin ishte në pushtet. Por ushtria ukrainase është nën presion të madh nga forcat ruse që përparojnë në pjesën lindore të vendit. Kievi është i shqetësuar se ndihma amerikane do të ndalet, pasi Trump e kishte kritikuar këtë shpenzim gjatë fushatës zgjedhore.

Nga ana e tij, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi kohët e fundit se ai është i gatshëm për negociata që synojnë përfundimin e konfliktit të armatosur në Ukrainë, por hodhi poshtë çdo diskutim me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky, sipas Putin, është “ilegalisht” në pushtet. Zyrtarisht, Kremlini po kërkon që Ukraina të kapitullojë, të heqë dorë nga perspektiva e saj për t’u bashkuar me NATO-n dhe që Rusia të mbajë rajonet ukrainase që ka njoftuar se ka aneksuar./