Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, duke iu drejtuar kryedemokratit Sali Berisha në Kuvend, tha se “e ka zili këtë të fundit për mënyrën si i ka ardhur pleqëria”.

“Për zotin Sali, të kam zili se si të ka ardhur pleqnia, por jo jeta. Ngrihesh në mëngjes, bën stërvitjen e mëngjesit se je doktor dhe mban trupin në formë. Në 9 mbaron mëngjesin dhe pastaj nga ora 10 deri në 2 ke orarin e humorit me grupin parlamentar dhe miletin. Me ata që të besojnë. Si bloger fillon e u flet për fustane, parfume, çanta, prerje eurosh, me thashetheme. Pastaj del jo te qytetari dixhital, po me filxhan dixhital dhe pastaj shtyn orët deri në drekë. Ha drekë, i fut një gjumë mbasdite nja 1 orë e gjysmë dhe pastaj del deri në 8 me qytetarin dixhital. 80 vjeç me këtë axhendë është për të ta pasur zili, se mosha jote dalin e merren me nipër e mbesa. Ndrysho oraret pak se një pjesë e këtyre nuk ngrihen në të njëjtën orë që çohesh ti”, i tha Manja Berishës.

Më tej, referuar qëndrimit të PS-së ndaj arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, u shpreh kështu:

“Raportin me drejtësinë, përtej të qenurit në formacion politik e kam individual Sali, në çdo moment si qytetar i barabartë para ligjit. Në këtë foltore këtu dhe jashtë saj, nuk ke për ta dëgjuar Ulsi Manjën që të mbrojë këdo që me vendim të formës së prerë deklarohet fajtor. Por prezumim pafajësie e kam në ADN-në time si jurist.”