Erion Veliaj, kryebashkiaku në qeli i Tiranës, ka nisur betejën e tij ligjore për liri. Përmes avokatit, Ermir Beta, Veliaj ka kundërshtuar në Apelin e Posaçëm vendimin gjyqësor të caktimit të masës së sigurisë “arrest në burg”.

Burime pranë stafit mbrojtës të kryebashkiakut bënë me dije se ankimi i përket vendimit të 9 shkurtit të gjyqtarit Erion Bani, për caktimin në mungesë së masës që e çoi në paraburgim. Materiali ankimor është dërguar në gjykatë përmes postës.

Mes tij, Veliaj kërkon shfuqizim të masës “arrest në burg” në të cilën qëndron prej 10 shkurtit, duke e konsideruar si jo proporcionale. Pas regjistrimit të tij, Apeli i Posaçëm do të shortojë ankimin e më pas edhe caktimin e një datë për shqyrtimin.

Ndërkohë, në ditët në vijim, brenda afateve ligjore Veliaj pritet te depozitojë ankim edhe për vendimin e 12 shkurtit, që konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg”.

Kryebashkiaku i Tiranës dyshohet nga SPAK për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim të parave” në të njëjtin hetim nga i cili janë ngritur dyshime për kryerje të veprave penale edhe nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dhe gjashtë biznesmenë.

Sipas SPAK, bashkëshortët Veliaj-Xoxa kanë ngritur një skemë korruptive, duke abuzuar më fondet publike të bashkisë dhe synim final pasurimin e tyre personal.