Kreu i SPAK nuk merr pjesë ne seancën e shpalljes së vendimit
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të martën, me shumicë votash, të lërë në fuqi vendimin e konfirmimit në detyrë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për prokurorin e Tiranës Valentin Preçi, duke rënë ndesh me qëndrimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, i cili, si palë në procesin e vetting-ut, kishte kërkuar shkarkimin e Preçit. Sipas vendimit te shkurtuar, rreth të cilit kemi arritur të informohemi, nga trupi gjykues i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo anëtarë, Ina Rama dhe Sokol Çomo kane qenë në pakicë duke votuar kundër konfirmimit, ndërsa tri gjyqtaret e tjera kanë votuar pro.
Ky vendim që u shpall live në faqen zyrtare të Kolegjit, mund të konsiderohet së paku i guximshëm për KPA-në e vetting-ut në përgjithësi dhe tre gjyqtaret në shumicë në veçanti, pasi jo vetëm Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani që zëvendëson në vetting Komisionerin Publik, pas përfundimit të mandatit të këtij të fundit, por edhe vëzhguesi i ONM-së, kanë evidentuar problematika të Preçit në të tria kriteret e vlerësimit, figurën, pasurinë dhe profesionalizmin.
dhe krim të organizuar.
Preçi ishte i konfirmuar në detyrë më 10 janar të vitit 2024 me shumicën e votave të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, që kreu procesin e rivlerësimit të tij. Bazuar në një rekomandim të ONM-së, ish-Komisioneri Publik, Florian Ballhysa kërkoi shkarkimin për probleme në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Gjatë seancave gjyqësore të zhvilluara në Kolegj, vëzhguesi i ONM-së paraqiti një gjetje, ku silleshin rrethana që e implikonin prokurorin në lidhje me persona të papërshtatshëm dhe konflikt interesi. Këto rrethana u provuan edhe nga drejtuesi i SPAK Altin Dumani, i cili, në qëndrimin që parashtroi për gjetjen e ONM-së tha se prokurori Preçi ka komunikuar disa herë me Arben Frrokun, disa muaj para një udhëtimi që kanë kryer së bashku e më vonë me vëllain e tij Mark Frroku, si dhe kërkoi përfundimisht shkarkimin e këtij subjekti rivlerësimi për probleme në të tre kriteret.
Për pasurinë, Dumani kishte konstatuar se prokurori Preçi gjendet në mungesë të burimeve financiare të ligjshme dhe se ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë. Konkluzionet lidhen me një apartament e një garazh në Tiranë; me shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, të bashkëshortes; si dhe mbi pretendimet për mbulimin e disa shpenzimeve nga babai i kësaj të fundit, për shlyerjen e disa kësteve të një kredie.
Kreu i SPAK kishte deklaruar gjithashtu se subjekti gjendej në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm dhe në kriterin e pastërtisë së figurës. Sipas tij, Prençi nuk kishte plotësuar saktë formularin e deklarimit të figurës, lidhur me kontaktet me vëllezërit Mark dhe Arben Frroku, të hetuar për vepra të rënda kriminale dhe krim të organizuar./Tema