Kuvajt, 18-19 Shkurt, 2025 – Me ftesë të homologut të tij Sh.T. Abdullah Ali Al-Yahya, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani ka zhvilluar një vizitë zyrtare dy-ditore në Kuvajt.

Vizitën e ka nisur me një takim produktiv me Sh.T. Sheikh Fahad Yousef Saud Al-Sabah, Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Brendshëm i Kuvajtit, me të cilin ka diskutuar rreth zhvillimeve rajonale dhe forcimit të bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare. Gjatë këtij takimi, ka pasur gjithashtu shkëmbime të frytshme mbi mundësitë ekonomike dhe tregtare, duke vlerësuar mbështetjen e Kuvajtit për projektet infrastrukturore në Shqipëri.

Në takimin me homologun e tij, Sh. T. Abdullah Ali Al-Yahya, dy ministrat kanë theksuar lidhjet e forta mes Shqipërisë dhe Kuvajtit, si dhe kanë shqyrtuar mënyrat e mundshme për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në sektorë kyç. Në lidhje me takimin, Ministri Hasani u shpreh:

“Ramë dakord për të inkurajuar më shumë shkëmbime në të ardhmen, edhe nëpërmjet vizitave të nivelit të lartë, për të forcuar më tej partneritetin tonë. Përsërita gatishmërinë e Shqipërisë për investimet direkte kuvajtiane, veçanërisht në energji, infrastrukturë, bujqësi dhe teknologji të avancuar. Gjithashtu, nënshkruam bashkërisht një Memorandum Mirëkuptimi për rritjen e bashkëpunimit mes akademive tona diplomatike, me qëllim krijimin e mundësive të trajnimit për diplomatët e rinj”.

Gjatë kësaj vizite dy-ditore, Ministri Hasani ka zhvilluar edhe takime të rëndësishme të karakterit ekonomik e tregtar. Gjatë takimeve është theksuar rëndësia e forcimit të kuadrit ligjor institucional që nxit rritjen e bashkëpunimit ekonomik-tregtar mes dy vendeve, si dhe ka theksuar se Shqipëria paraqet një potencial të lartë për investimet e huaja kuvajtiane në vendin tonë, duke marrë parasysh popullsinë e saj të re pro-evropiane, legjislacionin e favorshëm për investimet e huaja dhe pozicionin e shkëlqyer gjeografik.