Parlamenti ka miratuar ligjin për njohjen e viteve të punës në ish-kooperativa e ish-ndërmarrje shtetërore, pa dokumente e kosto shtesë. Nga ndryshimet ligjore përfitojnë mbi 30 mijë qytetarë, që kanë punuar në ish-ndërmarrjet bujqësore e shtetërore dhe ish-kooperativat bujqësore.

Ligji “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore”, ka për qëllim njohjen e periudhave të sigurimit, pa pengesa procedurale dhe pa shpenzime, për punonjësit e ish-ndërmarrjeve të kooperativave bujqësore, duke mundësuar përfitimin e një pensioni, të paktën sa pensioni social.

Me miratimin e ligjit do të njihen automatikisht periudhat e punës për punonjësit që kanë punuar në institucione dhe ndërmarrje shtetërore deri në 1 tetor 1994, ish-ndërmarrje bujqësore deri në 17 tetor 1992, dhe ish-kooperativa bujqësore deri më 19 korrik 1991.

Qytetarët që kanë punuar në ish-kooperativa e ish-ndërmarrje shtetërore do iu njihen vitet e punës, por me kushtin që gjatë periudhës së deklaruar të vërtetojnë se kanë qenë me vendbanim në fshat, ku ushtronte aktivitetin ndërmarrja apo kooperativa, si dhe nuk kanë qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie.