Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar që të bëhet kujdes me kursin e këmbimit dhe të monitorohet në vazhdimësi. Prej disa muajsh euro qëndron në nivele të ulëta përballë lekut shqiptar duke u këmbyer me 98 lekë. Guvernatori Gent Sejko ka pritur në një takim Riccardo Ercoli, Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN.
Kreu i FMN për Shqipërinë inkurajoi monitorimin e vazhdueshëm të rrezikut të kredisë bankare, të kursit të këmbimit dhe të normës së interesit, si dhe vlerësoi pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, duke u ndalur në veçanti te rëndësia e kthimit të inflacionit në objektiv. Ndërkohë që guvernatori Sejko theksoi se së fundmi janë marrë një sërë masash për mbrojtjen e konsumatorit dhe garantimin e një mjedisi më transparent për huamarrësit.
Një tjetër çështje e trajtuar gjatë takimit ishte dhe modernizimi i sistemeve të pagesave në Shqipëri. Sipas Guvernatorit, me rritjen e kërkesës për shërbime më të shpejta dhe të sigurta, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë hapa konkretë duke përmendur anëtarësimin në SEPA.
Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesi i FMN-së theksuan nevojën dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit midis institucioneve dhe të asistencës teknike në të ardhmen.