Monumenti simbol i Pavarësisë së Kosovës i cili gjendet në qendër të Prishtinës “NEWBORN” ka marrë pamje të re, me një koncept që reflekton fuqinë dhe ndikimin e Inteligjencës Artificiale (AI) në shoqëri.
Me motive të frymëzuara nga teknologjia dhe inovacioni, dizajni i sivjetmë i këtij monumenti përfshinë elemente vizuale të ngjashme me qarqet elektronike dhe lule me ngjyra të ndryshme duke ndërthurur natyrën me teknologjinë.
Koncepti i realizuar nga autori i këtij monumenti, Fisnik Ismaili, synon të bashkojë organiken me dixhitalen, duke reflektuar ndikimin gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale.
Si çdo vit, një ekip prej rreth 10 personash të udhëhequr nga autori Ismaili, “NEWBORN” merr pamje të re dhe aktuale, duke zbukuruar kryeqytetin dhe duke i dhënë kuptim të veçantë përvjetorit të pavarësisë.
“E pëlqeve apo e urreve, e deshe apo ia pate frikën, Inteligjenca Artificiale është këtu, edhe çdo ditë e më shumë po bëhet pjesë e pashmangshme e jetëve tona”, ka thënë Ismaili për dizajnin e këtij viti të monumentit që ai e ideoi për ditën e shpalljes së pavarësisë.
“NEWBORN”-i u inaugurua në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008 dhe për pesë vite qëndroi me pamjen e njëjtë, nënshkrimin e qytetarëve mbi të.
Ndërsa nga viti 2013 ai çdo vjet ka marrë pamje të re varësisht aktualitetit politik e social të vendit, sikurse me flamujt e shteteve që e kanë njohur pavarësinë, kujtimin për të rënët në luftën për liri, emigrimin e qytetarëve, mbrojtjen e tokës, mbrojtjen e të drejtave të grave dhe shumë të tjera.
“NEWBORN” ka fituar gjithsej shtatë çmime ndërkombëtare, ndër to çmimin më të lartë në botë në fushën e dizajnit, atë të “Luanit të Artë” në Cannes.