Kryeministri Edi Rama thotë se 21 janari duhet ndëshkuar nga SPAK, teksa iu përgjigj komentuesve në rrjete sociale gjatë një bashkëbisedimi live, teksa i kërkonin hetimin e çështjes.

Rama u shpreh se nuk ka urgjencë për 21 janarin ku u vranë 4 protestues, por pati një urgjencë të madhe për të arrestuar kryebashkiakun e Tiranës, duke mos pasur prova.

“Çfarë duhet të bëj unë për 21 janarin? Duhet të jesh i një ligësie, të mendosh që SPAK e kontrollon Edi Rama. SPAK nuk është vegël e askujt, kjo është shumë e qartë. Kërkojani SPAK 21 janarin, çfarë më kërkoni? Nuk ikën 21 janari pa u ndëshkuar, por nuk e jap unë ndëshkimin. 21 janari, drejtësia vonon, por në fund nuk harron. Urgjencë e madhe për të arrestuar kryetarin e bashkisë? Pse nuk ka urgjencë për 21 janarin, janë vrarë 4 njerëz. Çfarë duhet të bëj unë? Ta bëj unë? Ka vdekur ajo kohë, por ka ndekur edhe ajo kohë kur partria, kryeministri kontrollonte drejtësinë. Pllakën e varrit të asaj kohe ia kam vënë unë dhe PS. Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të shqetësohet. Ne nuk jemi nga ata që mbajmë armiqësi, por çdokujt i japim hakun e vet. Çfarë trysnie? Bëni punën atje, merrni paga të jashtëzakonshme. Për këtë shqetësohuni.”, theksoi ai.